Në kuadër të 20-vjetorit të krijimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchard është shprehur gjatë një interviste se shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme, e për këtë OSBE po përgatit një mision shumë të plotë të monitorimit të zgjedhjeve.
Sipas kreut të prezencës së OSBE partitë politike duhet të gjejnë konsensusin për përmirësimet në ligjin elektoral ndërsa kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme.
"Janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht", shprehet Borchard.
Në intervistën e tij, Borchard thotë se aktualisht politika dhe shoqëria diskutojnë për kanabisin, dhe që nga viti 2014, policia po e lufton në mënyrë shumë më intensive çka për kreun e prezencës së OSBE ky përbën një zhvillim pozitiv.
Sipas tij, qeveria ka hartuar një plan veprimi për të luftuar kanabisin, Prezenca e OSBE-së ishte e ftuar për të kontribuuar në këtë plan dhe e dha kontributin e saj. "Ne e nxitim qeverinë që të zbatojë këtë plan veprimi me energji".
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com