OSBE kundër bojkotit të opozitës, Borchardt: Demokracia zhvillohet në Parlament
Nga Korça, kreu i Prezencës së OSBE ka theksuar nevojën për përmirësimin e ligjit elektoral si dhe ka kujtuar edhe njëherë tjetër zbatimin e barazisë gjinore në listat e kandidatëve në zgjedhje.
Redaksia 25 Tetor 2018, 18:50 | Përditesimi: 26 Tetor 2018, 10:00
KORÇË - Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt ka komentuar gjatë një vizite në Korçë bojkotin e Kuvendit nga opozita dhe diskutimet për Reformën Zgjedhore. Ai është shprehur kundër vendimit të opozitës për të qëndruar jashtë Kuvendit, duke theksuar se demokracia zhvillohet në Parlament.
Sa i takon Reformës Zgjedhore, kreu i Prezencës së OSBE ka theksuar nevojën për përmirësimin e ligjit elektoral si dhe ka kujtuar edhe njëherë tjetër zbatimin e barazisë gjinore në listat e kandidatëve në zgjedhje, një prej rekomandimeve të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.
"Jemi të angazhuar në procesin e Reformës Zgjedhore. Kemi një bazë në themele për diskutim. Jemi në rrugë të mirë. Kjo eshte ne dorë të shqiptarëve për të vendosur. Por është një bazë e sofistikuar për diskutim e cila mund të përmirësohet. Dhe kjo ka nevojë për një diskutim të gjerë. Si p.sh kishte diçka që më pëlqen shumë, rregulli i barazisë gjinore. Procesi i apelit i rekomanduar nga ne nuk është bërë. Kërkojmë me ngulm që të bëhet", tha Borchardt.
Ndërsa i pyetur për tezën e zgjedhjeve të parakohshme njëherazi me ato vendore të qershorit 2019, e lançuar nga kryedemokrati Lulzim Basha, ambasadori i OSBE tha se kjo është në dorë të qeverisë dhe parlamentit.
"Këto janë gjëra që i përkasin qeverisë shqiptare dhe parlamentit. Kemi Kushtetutë dhe rregullore dhe këto janë gjëra që i vendos Kushtetuta dhe qeveria shqiptare", shtoi ai.