OSBE me gazetarë nga Tirana
në Liqenin e Shkodrës!

OSBE me gazetarë nga Tirana<br />në Liqenin e Shkodrës!
TIRANE- Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian ka zhvilluar kohët e fundit me gazetarët e Tiranës një udhëtim turistiko–trajnues për liqenin e Shkodrës, në Shkodër dhe Podgoricë. Lajmi u shpërnda për ironi edhe për gazetarët e Shkodrës, por kur çdo gjë ishte bërë fakt i kryer.

OSBE anashkaloi pikërisht gazetarët që ndodhen në këtë rajon dhe që kanë trajtuar prej vitesh, me shumë shkrime dhe kronika, problematikën e liqenit të Shkodrës. Por, si ka mundësi që ajo ua jep këtë mundësi gazetarëve kryeqytetas, pjesa dërmuese e të cilëve mund kujtohen se ekziston në hartë liqeni i Shkodrës vetëm kur kanë ndonjë vakuum të vogël në minutazh apo aq vend të lirë në gazeta sa mund ta zërë si sipërfaqe një kuti shkrepseje?

Ndërkohë, janë pikërisht gazetarët e Shkodrës ata, që kanë denoncuar dhe vijojnë të denoncojnë prej po kaq kohe një veprimtari të dyshimtë, gjoja në emër të mbrojtjes së liqenit të Shkodrës, me investime miliona euro dhe dollarë.

Kjo aferë, në fakt, meriton një hetim ndërkombëtar, po të nisesh nga shumat marramendëse të deklaruara si të investuara në dobi të liqenit të Shkodrës, në një kohë kur askush nuk vuri dorë realisht aty dhe kur shteti shqiptar nuk i kërkon kujt llogari se ku shkuan milionat e deklaruara. Situata mjedisore në tërësi e këtij liqeni, jo vetëm që nuk ka njohur përmirësim por, përkundrazi, është keqësuar edhe më shumë në të gjitha drejtimet. Kjo vërehet, sipas specialistëve, në radhë të pare, në zënien e një sasie shumë më të vogël vjetore të peshkut në krahasim me vitet ’90, rreth 10 herë më pak.

Po kështu, edhe në shtimin e ndjeshëm të ndotjeve që bart ky liqen, në të cilin janë hedhur një sasi e konsiderueshme inertesh nga ndërtues që nuk i kontrolloi askush dhe që si qëllim të vetëm kanë vetëm fitimin. Ishte pikërisht fryrja e liqenit, edhe si pasojë e bllokimit të pjesshëm të qarkullimit të tij drejt detit nëpërmjet lumit Buna, ajo që shkaktoi përmbytjet e viteve 2010-2011, kur gati një e katërta e qytetit të Shkodrës u gjend e përmbytur nën ujë.

Duket qartë se OSBE është e interesuar që lajmet, apo edhe kronikat apo shkrimet problemore, për liqenin e Shkodrës duhet të hartohen sipas oreksit të zëdhënësve të “bamirësve”, vetëm si histori ndihme dhe investimesh të suksesshme të organizmave mjedisore ndërkombëtare apo fondacionesh dhe asgjë më shumë. Duke u dalë kështu në mbrojtje sukseseve imagjinare, të hartuara nga aparatçikë të korruptuar, kryesisht të huaj. Ky qëllim realizohet më kollaj kur futen në lojë shefat e reporterëve dhe korrespondentëve të Shkodrës, që rrinë në Tiranë.

Është i dënueshëm ky veprim i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, duke përdorur median për pasqyrimin e ndihmës dhe mbështetjes që gjoja organizmat e huaja në përgjithësi po japin për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës, kur në fakt ka ndodhur e kundërta. Dhe, përsa kohë shumica e shtetarëve shqiptarë do të vijojnë t’u përulen diplomatëve të huaj në përgjithësi, kuptohet se nuk do t’u bëjnë asnjë rezistencë edhe këtyre veprimeve të OSBE-së.

OSBE mund të vijojë që të bëjë e patrazuar atë që ka bërë me mjaft talent, të paktën qysh nga largimi i dy ambasadorëve të saj të parë dhe më të aftë: Dan Everts (1997-99) dhe Gert Ahrens (1999-2001), pra eksperimente me një shtet si Shqipëria nëpërmjet hartimit të raporteve të mërzitshme dhe voluminoze, të cilat nxijnë akoma edhe më shumë realitetin shqiptar, me një qëllim të vetëm real: zgjatjen e qëndrimit në Shqipëri të Prezencës së saj.

Çka nënkupton mbajtjen e një organike të fryrë, me diplomatë të dështuar, së bashku më beneficet që i shoqërojnë, njëlloj sikur të ishin në vendet e Afrikës Qendrore…

logo observatori per arkiv*Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfi nancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja. com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian 






*Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Koçiu në Ministerialin e Vjenës: Shqipëria mbi 60 projekte bashkëpunimi me Agjencinë Atomike, rritje e trajtimit të pacientëve me kancer

Koçiu në Ministerialin e Vjenës: Shqipëria mbi 60 projekte bashkëpunimi me Agjencinë Atomike, rritje e trajtimit të pacientëve me kancer