“Nuk mund të ketë shtet të së drejtës pa një shërbim civil profesionist. Kam besim se raporti më i ri dhe raportet e mbikëqyrjes do të shërbejnë për të promovuar më tej punën e Komisionit të Shërbimit Civil dhe do të rrisin transparencën e veprimtarisë së gjerë të tij. Përveç kësaj, ai do t’i shërbejë edhe institucioneve shtetërore si një udhërrëfyes për trajtimin sa më të mirë të çështjeve që lidhen me menaxhimin e nëpunësve civilë dhe për kërkimin e zgjidhjeve ligjore dhe konstruktive për një shërbim më të mirë të qytetarëve në Shqipëri”, tha Ambasadori Wollfarth.
“Buletini 2011” i Komisionit përfshin raportin për vitin e kaluar, si dhe 22 raporte të mbikëqyrjeve që Komisioni ka bërë në të njëjtën periudhë në disa ministri, bashki dhe këshilla qarku. Ky botim do t’u shpërndahet të gjitha institucioneve shtetërore që janë pjesë e sistemit të shërbimit civil, si dhe organizmave të tjerë shtetërorë, organizatave jofitimprurëse dhe bibliotekave.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të hershëm e të frytshëm me Komisionin e Shërbimit Civil – thuhet në një njoftim të këtij organizmi - kryesisht në trajnimet që u janë bërë nëpunësve civilë dhe zyrtarëve politikë në njësitë e qeverisjes vendore, si dhe nëpunësve civilë të institucioneve të pavarura shtetërore.
(im/shqiptarja.com)