PRISHTINË, 17 Nëntor /ATSH/. - Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të jetë mikpritës i një konference, që do të zhvillohet nesër në Prishtinë me temë përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve trans-kombëtare.
Zyrtarë të agjencive për zbatim të ligjit, përfaqësues të qeverive dhe akademikë nga Ballkani Perëndimor, Turqia dhe disa vende të BE-së do të vlerësojnë kërcënimet e reja që sjell krimi i organizuar dhe do të diskutojnë për shkëmbimin e inteligjencës kriminale dhe aktivitetet potenciale të përbashkëta, në pajtim me konventat ndërkombëtare.
Ata do të flasin edhe për bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë penale dhe ndihmën juridike ndërkombëtare, si dhe rolin e organizatave ndërkombëtare në koordinimin e luftimit të krimit të organizuar.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, Drejtori Gjeneral i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi dhe Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina do të flasin në këtë ngjarje./b.j/k.s/