Për eurodeputetët, rëndësi duhet ti jepet kontekstit politik të zgjedhjeve. Ndërsa OSBE-ODHIR i jep më tepër prioritet problemeve teknike.
Zhvillimi i zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri ka shkaktuar një mosmarrëveshje midis OSBE/ODHIR dhe delegacionit të Parlamentit Europian.
Për Parlamentin Europian, procesi duhet parë më shumë në kontekstin politik, sesa në atë teknik siç e ka peshuar OSBE/ODHIR.
Kjo mosmarrëveshje është shprehur hapur prej kreut të delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian.
Debati në Parlamentin Europian
Eduard Kukan, Eurodeputet: Unë i kam bërë të ditura tashmë sfidat për të cilat u përballëm me OSBE-ODHIR për zgjedhjet në Shqipëri. Thënë shkurt, ne konsiderojmë, se OSBE-ODHIR nuk e ve theksin mjaftueshëm në kontekstin politik të zhvillimit të zgjedhjeve.
Klaus Buchner, Eurodeputet: OSBE vëzhgoi se nga pikëpamja teknike rrezikohej kufiri i përcaktuar prej 3% dhe se vëzhduesit kishin konstatuar parregullsi në disa zona votimi dhe për këtë i gjithë proçesi mund të binte poshte. Ndërkohë, ne pamë që zgjedhjet u zhvilluan normalisht.
Për eurodeputetët, moskontestimi i zgjedhjeve dhe mungesa e ngërçeve të mëtejshme politike në Shqipëri tregon për një rikthim të normalitetit demokratik në vend. Ndaj, siç e kanë cilësuar disa parlamentarë europianë, nuk ka më kuptim më të shtyhet hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Christian Dan Preda, Eurodeputet: Të gjitha forcat politike u gabuan në parashikime. Rama që dyshonte se nuk do kishte shumicën e duhur për të qeverisur, e arriti këtë shumicë. Basha mendonte se partida demokratike ishte krah për krah me atë socialiste, ndërkohë që rezultati tregoi që kishte një diferencë të rëndësishme midis tyre dhe cunami i anonçuar nga Meta nuk ndodhi. Fakti që nuk pati kontestim apo bllokim tregon që ka një rikthim të normalitetit demokratik në Shqipëri. Tani duhen vijuar reformat, por shpresojmë në hapjen e negociatvae të anëtraësimit, pasi tashmë nuk ka kuptim që kjo të shtyhet sërish.
Eduard Kukan: Duhet theksuar, se rekomandimet e OSBE/ODHIR për proçesin zgjedhor e kryesisht për depolitizimin e administratës zgjedhore nuk janë zbatuar. Këto rekonandime duhen zbatuar në kohën e duhur para zgjedhjeve të arshshme. Tashmë është detyrë e të gjitha partive politike që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në Parlamentin e ri. Qeveria e re duhet të ecë përpara me reformat e integrimit veçanërisht me zbatimin e reformës së gjyqësorit dhe proçesit të Vetting.
Gjatë diskutimit, eurodeputetët janë shprehur, se Bashkimi Europian duhet të angazhohet më shumë në procesin e integrimit me vendet e Ballkanit oër të zhbërë perceptimin e krijuar në vendet e Ballkanit, që procesi i anëtarësimit është ngrirë dhe perspektiva e anëtarësimit mund të marrë me vite të tëra. /Abcnews
dy.b/shqiptarja.com