Sipas tij, “Çmontimi i shumë armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri është një tjetër sfidë, ashtu siç është edhe pastrimi i ish Pikave të Nxehta ushtarake”.
“T’ua kthesh këto zona qytetarëve është një gjë dhe t’ia kthesh këto zona mjedisit është krejtësisht një gjë tjetër”, u shpreh Rauning.
“Në vitin 2013, me mbështetjen financiare të Republikës Çeke dhe Turqisë, Prezenca, duke punuar me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me një partner zbatues, asistoi me sukses në ripaketimin e sigurt të 100 tonëve të tjerë kimikatesh të rrezikshme në Shqipëri. Megjithatë, ende kërkohet një financim thelbësor për përmbushjen me sukses të fazës së dytë të këtij projekti, për heqjen e kimikateve nga toka shqiptare dhe për shkatërrimin e tyre të sigurt jashtë shtetit. Realizimi i këtij projekti është prioriteti kryesor për vitin 2014”, vërejti ambasadori Rauning.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar bashkë me qeverinë për vite me radhë si një partnere aktive zbatuese në procesin e çmilitarizimit. Ne kemi realizuar shumë projekte të suksesshme së bashku, duke përfshirë shkatërrimin e shumë tonëve municione konvencionale të tepërta, karburanti raketash (mélange) dhe kimikateve të tjera të rrezikshme. Shkatërrimi i municioneve të tepërta konvencionale vazhdon edhe sot me pajisjet e siguruara nga Prezenca me financimin e Danimarkës dhe Gjermanisë”, tha mes të tjerash ambasadori i OSBE-së.
Ai shtoi se, edhe me përfundimin e projektit për heqjen dhe shkatërrimin e 100 tonë mbejtesh kimike nga Shqipëria, mbetet ende punë për t’u bërë.
“Ne e kemi parë me vëmendje kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për fillimin e një projekti të katërt për heqjen dhe shkatërrimin e një game të gjerë materialesh të rrezikshme. Së bashku me ministrinë dhe donatorët potencialë, ne do të shqyrtojmë mundësitë për një asistencë të mëtejshme të OSBE-së në këtë fushë”, tha ambasadori Rauning.
Sipas ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, “Projekti për pastrimin e zonave të ‘nxehta’ nis së shpejti”.
“Më lejoni të theksoj se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet plotësisht e angazhuar që të mbështesë procesin e çmilitarizimit në Shqipëri. Procesi i çmilitarizimit është jetësor për paqen dhe sigurinë e Shqipërisë, si dhe për rajonin më gjerë. Ne i mbështesim plotësisht përpjekjet e qeverisë për një vend më të sigurt e më të qetë. Ne dëshirojmë të punojmë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me anëtarët e Trupit Diplomatik të pranishëm sot këtu, për të diskutuar zgjidhjet dhe rrugët potenciale në të cilat mund të bashkëpunojmë për ta ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u bërë një vend më i sigurt e më i qetë”, tha Kodheli.
Në tryezën ndërballkanike për problemet e sigurisë në qytetin e Elbasanit, merrnin pjesë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu si dhe ambasadorë të Gjermanisë, Çekisë, Turqisë dhe Greqisë etj.
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)