PRISHTINË, 4 Mars /ATSH/.- Kosova ka nevojë për politikë të qëndrueshme të transportit të veçantë apo të subvencionuar, në mënyrë që komunitetet dhe grupet e ndjeshme të jenë në gjendje të udhëtojnë dhe të kenë qasje në shërbime të ndryshme si arsimi, shëndetësia dhe administratat komunale, thotë një raport i Misionit të OSBE-së në Kosovë i publikuar sot.
Raporti analizon transportin humanitar me autobusë që lidhë fshatra e qytete të izoluara të banuara me komunitete të ndryshme me vendbanime më të mëdha urbane në Kosovë, dhe vë në pah se ndryshimet në disa linja dhe rrugë e vështirësojnë qasjen në shërbime të rëndësishme për komunitetet në 12 komuna, kurse planet për vazhdimin e këtij shërbimi pas vitit 2015 mbeten të paqarta.
"Ndërprerja ose zvogëlimi i shërbimit të transportit humanitar me autobusë do të kishte ndikim negativ në qasjen e komuniteteve dhe mundësitë ekonomike", tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger. "Për këtë arsye, nevojitet një politikë e qëndrueshme për transportin e veçantë për komunitetet në mënyrë që të sigurohet qasje e barabartë në shërbime për ata që kanë nevojë", vijoi ai.
Raporti më tutje u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të bëjnë një vlerësim gjithëpërfshirës të nevojave për të zhvilluar një politikë të tillë, dhe për të siguruar se komunitetet në pozitë të pafavorshme kanë qasje në shërbime në mënyrë të vazhdueshme./b.j/k.s/