Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë ne media, ambasadori Eugen Wollfarth përsirit më me forcë apelin për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore pasi Shqipëria ka “nevojë urgjente”.
“Vërej se procesi i reformës zgjedhore ende nuk ka marrë udhë plotësisht. Tani, është koha që t’i hiqet një vijë të shkuarës, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Tani është koha që partitë politike të mbajnë fjalën, me veprime të vërteta dhe konkrete. Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë zgjedhore. Komisioni duhet të ngrihet sa më shpejt.”
Ambasadori përgëzon të gjitha palët për nivelin e dialogut ndërpartiak që është zhvilluar ditët e fundit. “Tani, i nxis të gjithë të bëjnë edhe atë hap të mbetur, në mënyrë që procesi i reformës zgjedhore të mund të fillojë, më në fund. “- thuhet në deklaratën e OSBE.
Deklarata mbyllet me udhëzimin drejtuar partive politike për të bërë ndryshimet në ligjin e zgjedhjeve, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Partitë politike duhet të synojnë miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore për të pasqyruar rekomandimet përkatëse të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), si dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të japë kontributin e saj në procesin e reformës zgjedhore.”
(s.g/shqiptarja.com)