Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, bëri të ditur të martën se ka ulur humbje me 31.7 % për muajin shtator 2014, duke e përmirësuar këtë tregues me 3.4 % krahasuar me shtatorin e 2013-ës. Gjithashtu, OSHE për këtë muaj ka një nivel arkëtimi prej 45 miliardë lekë të reja ose rreth 41 milionë dollarë. Sipas OSHE-së, niveli i arketimeve është me 35.7% për këtë muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 9-mujorin, sipas OSHE-se, niveli i arketimeve është rritur me mbi 20%.

OSHE thekson se këto rezultate rekord nuk janë shënuar prej vitesh në këtë kompani, si gjate drejtimit çek ashtu edhe gjatë administrimit të mëparshëm shtetëror. Duke vënë theksin në faktin se do të vijojë aksionet për prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe penalizimin e debitorëve OSHE bën të ditur se vetëm gjatë muajit shtator, nga ndërhyrjet e grupeve të punës në terren në të gjithë vendin janë kryer rreth 75.800 prerje lidhjesh të paligjshme.

Sipas OSHE-së, puna është përqëndruar në garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike të konsumatorëve, përmirësimin e treguesve të menaxhimit, reduktimin e humbjeve dhe rritjen e nivelit të arkëtimeve, reduktimin e kostove të shoqërisë, si dhe bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare për të garantuar mbështetje qoftë financiare ashtu edhe konsultative në lidhje me investimet dhe përmirësimin e sistemit energjetik.

ATSH