Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE, kompania arriti të blejë 271,620 MWh, nga sasia e kërkuar prej 288,600MWh, ose 94% e totalit të kërkuar.
Kjo sasi i ka kushtuar OSHEE në total rreth 20 milionë euro.
Burimet nga OSHEE pohuan se negociatat ishin të vështira, po ashtu, si rrallëherë u bë kërkesa në tre lote, teksa operatori po haset me domosdoshmërinë për të blerë energji orë pas ore.
U negociua me 10 subjekte nga të cilët 9 u pranuan dhe megjithëse si asnjëherë tjetër negociatat vazhduan me 5 raunde nuk u arrit të sigurohej e gjithë sasia.
Sasia e mbetur, pohojnë burimet e OSHEE do t’i kërkohet KESH.
Tre muajt e fundit, situata e energjisë në vend është përkeqësuar për shkak të thatësirës së tejzgjatur.
Shqipëria po ndodhet aktualisht në një situatë që nuk po arrin të plotësojë sasitë e kërkuara të energjisë.
Oferta në tregun e energjisë, sqarojnë burimet e OSHEE, është në rënie, dhe çmimet janë vështirësisht të negociueshme.
Teksa oferta është më e lartë se kërkesa, kjo ul konkurrueshmërinë në negocimet për çmimet.
Në ankandin e fundit, çmimi u luhat mes 64 euro/MWH deri afër 80 euro/MWH, në varësi të lotit, kapacitetit dhe sasisë së kërkuar.
Diferenca me bursën e Hungarisë është 11 euro për MWH, nga të cilat kapacitetet zënë 6 euro dhe pjesa tjetër është vlera në kohë e parasë dhe kosto administrative.
OSHEE ka blerë me fondet e veta rreth 50 milionë energji për korrikun dhe gushtin, ndërsa në shtator në lojë hyri dhe KESH, pasi u arrit të zhbllokohej një pjesë e kredisë, (22.4 milionë euro), që Banka Botërore ka dhënë për rimëkëmbjen e energjisë dhe që mund të përdorej në raste emergjence.
KESH bleu pak ditë më parë 7.2 milionë euro energji për shtatorin.
Për periudhën korrik-shtator, janë blerë gjithsej gati 80 milionë euro energji. Nëse thatësira vijon, qeveria do të detyrohet të prekë për here të pare pas disa vitesh fondin e rezervës në buxhet, i cili u rrit me ndryshimet e fundit të buxhetit, pikërisht për të përballuar krizën energjetike.
Burimet nga OSHEE pohojnë se operatori i shpërndarjes ka likuiditetin e nevojshëm, pasi kompania ka arkëtime prej rreth 5 miliardë lekë në muaj (36 mln euro), por problemi është që gjithçka po përdoret për fondet e energjisë, ndërkohë që kompania duhet të bëjë edhe investime.
Por, për sa kohë që nuk do të ketë prurje shiu, operatorët e tregut do të jenë të detyruar të blejnë energji.
Situata do të shihet muaj pas muaji dhe OSHEE ende vazhdon të planifikojë që do paguajë energji me fondet e veta, për sa kohë që nuk është përcaktuar, si do i marrë fondet e rezervës buxhetore, apo do të përdorë overdraft të garantuar nga qeveria.
Pozitive është që ditët e fundit ngarkesa është ulur, për shkak të rënies së vapës në vend, çka ka reduktuar konsumin, duke i dhënë pak frymëmarrje operatorit të energjisë.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com