TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE do të nis zbatimin e një projekti pilot në disa zona më problematike të Tiranës për vendosjen e 10 mijë matësave inteligjentë.
Kjo u bë e ditur nga Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela gjatë konferencës "Rimëkëmbja e energjisë". Sipas Çelës, për uljen e humbjeve në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve do të ketë shtrirje të sistemeve moderne matëse në të gjithë territorin.
Kreu i OSHEE-së informoi se qytetarët që sot përmes celularit, do të mund të paguajnë faturën e energjisë elektrike. Po ashtu, ai bëri të ditur se shumë shpejt pagesa e faturës do të kryhet edhe përmes sporteleve të transferimit të parave si dhe nga dyqanet e shërbimit të telefonisë së celularëve, shërbime këto të ofruara me kosto zero për qyetarët.
Duke bërë një prezantim të punës, administratori i OSHEE-së Ardian Çela u shpreh se niveli i humbjeve në rrjet ka rënë në mënyrë drastike dhe se janë rritur arkëtimet dhe numri i marrëveshjeve të reja. "Vetëm duke paguar energjinë elektrike qytetarët mund të kenë një shërbim cilësor. Morëm vendim për të falur rreth 54 mijë fatura abuzive. Këtë vit parashikohet të investohen rreth 4.46 miliardë lekë fonde këto të Bankës Botërore dhe OSHEE-së", tha Çela. Sipas tij, kompania ka bërë një plan strategjik në të ardhmen dhe aktualisht po hartohet një kontratë e re për të gjithë konsumatorët, përmes s cilës kompania angazhohet që krahas mbledhjes së detyrimeve të ofrojë edhe shërbim cilësor./a.gjonaj//a.g/