/ATSH/- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, publikoi të shtunën skemën e re të pagesës së detyrimeve të krijuara deri në 31 dhjetor 2014 nga konsumatori familjar.
Sipas OSHEE, në skemën e re lehtësuese të pagesës së detyrimeve të prapambetura mund të rifuten edhe ata debitorë familjarë që nuk iu përgjigjen korrektësisht aktmarrëveshjeve të lidhura me këtë kompani deri në datën 31 mars 2015, sipas së cilës iu zbriteshin 80 % kamatvonesat.
Skema 1
Pagesë më 6 këste e detyrimit për kontratë që arrin shumën deri në 100 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh ta paguajë detyrimin në 1/3 e afatit (pra, brenda 2 muajve nga 6 që është gjithsej skema), atëherë i reduktohet me 50% kamatëvonesa. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit.
Skema 2
Pagesë më 12 këste e detyrimit për kontratë që arrin shumën deri në 300 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh të paguajë detyrimin më afat deri në 1/4 e tij (pra brenda 3 muajve), u ulet me 50% kamatëvonesa. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit.
Skema 3
Pagesë më 24 këste e detyrimit për kontratë që arrin shumën 600 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh që ta paguajë detyrimin më afat deri në 1/6 e tij (pra brenda 4 muajve), u ulet me 50% kamatëvonesa. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit.
Skema 4
Pagesë më 36 këste e detyrimit për kontratë që tejkalon shumën 600 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh ta paguajë detyrimin më afat deri në 1/8 e tij (brenda 5 muajve) përfiton ulje me 50% të kamatëvonesës. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit.






