TIRANE - Deputeti i PD, Osman Metalla në një intervistë për Shqiptarja.com shprehet i bindur në fitoren e të djathtës në zgjedhjet e 23 qershorit, por duke mos shmagur as mundësinë se kjo mund të arrihet me koalicionet parazgjedhore. Për atë nuk përbën asnjë rrezik për votat apo dhe mandatet, krijimi i një poli të tret në politikë. Metalla vlerëson ardhjen e Selamit në PD.

Si po e gjen fushata zgjedhore Partinë Demokratike?
PD është në përgatitjet e saj për të marrë dhe një mandat të tretë. Në dy mandatet e saj në qeverisje, të cilat u kanë dëshmuar gjithë shqiptarëve se ka qenë partia e premtimeve të mbajtura, mazhoranca realisht ka ndryshuar, ka bërë Shqipërinë një nga vendet aleate në NATO, ishte kjo mazhorancë që bëri që shqiptarët të përjetojnë ëndrrën e tyre për të lëvir të lirë në hapsirën Shengen, dhe besoj se kjo ka qenë një nga reformat më të mëdha që është bërë nga kjo mazhorancë. Në saj të reformave mjaft të mira të kësaj qeverie, ka rezultuar se Shqipëria i ka rezistuar mjaft mirë presioneve të një krize ekonomike. Ne shkojmë të sigurt drejt një mandati të tretë, çfarë do shikohet që në fushatën zgjedhore.

Strukturat e PD, ka filluar organizimi i tyre nga baza dhe më poshtë?
Strukturrat e PD kanë filluar të aktivizohen, kanë filluar të bëjnë mbledhjet. Në këtë fazë përgatitore që strukturat e partisë po bëjnë duket se mjaft mirë ka një optimizëm të shafaqur për një mandat të tretë.

Deputetë të PD nuk kanë shmangur mundësinë e një koalicioni  pasqeveritar me PS. Si e shikoni ju këtë ide?
Unë besoj se PD dhe kjo mazhorancë, që ka qeverisur me këto dy mandate dhe pushtetin e ka ndarë me aleatët e saj, ka treguar që ka bërë çdo aleancë që është në shërbim të vendit, në shërbim të integrimit, në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Ndaj kur vjen punë te koalicionet, në formulën e krijimit të koalicioneve e vetmja gjë që do të quhet tabu do të ishte krijimi i një koalicioni që nuk do të ishte në shërbim të qytetarëve. Çdo koalicion i tillë që është në shërbim të vendit për ta transformuar këtë vend nga një vend me të ardhura mesatare në një vend të zhvilluar, sigurisht që ne jemi të hapur për të bërë çdo koalicion që do të ishte në interes të popullit shqiptar.

Është hedhur kohët e fundit ideja e krijimit të një poli të tretë në politikë, ku mund të përfshihet PBDNJ, LSI apo dhe parti të tjera. A mendoni se PD mund të dëmotohet nga ky pol, flasim për votat dhe mandatet?

PD është një parti e madhe që gëzon mbështetjen të qytetarëve shqiptarë, mbështetje kjo që është treguar që nga 2008 e në vijim. Besoj se edhe në zgjedhjet e 23 qershorit, tendenca e mbështetjes do të jetë në rritje. Një pol i tillë nuk do të kishte asnjë rrezik për të djathtën. PD do të jetë përsëri forca e parë që do të vazhdojë të qeverisë këtë vend së bashku me të gjithë aleatët e saj me të cilët do të bëjë koalicione parazgjedhore ose paszgjedhore.

Rikthimi i figurave të vjetra në PD, siç është ajo e Eduard Selamit, çfarë impakti pati kjo në parti dhe si e shikoni ju pozicionimin e tij politik?

Unë mendj se Selami nuk është larguar ndonjëherë nga PD. Ai ishte kryetar i PD-së dhe gjatë gjithë kësaj kohe pothuajse 20 vjeçare Selami ka qenë pjesë e strukturave drejtuese të PD. Edhe pse ndoshta për arsye të distancave mund të themi që nuk ka qenë shumë prezent, gjithë kohën në PD, kjo ardhje e tanishme bën që Selami të jetë një politikan me kontribute më direkte, më aktive dhe më të dukshme në sytë e opinionit publik, pasi në srukturat e partisë ka qenë kontribues përherë. Besoj se do të ndikojë pozitivisht ardhja e tij në PD.

Si i shikoni kandidaturat e para të propozuara nga PS, të cilët janë jashtë fushës së politikës?
Unë nuk do të doja të përshkruaja kandidaturat e PS, pasi kjo është çështje e tyre, është një çështje e mungesës që ata kanë në krizën e brendshme që kanë në struktura dhe që po kërkojnë figura gjithandej. Unë do të thoja se ekipi i PD është një ekip mjaft i konsoliduar, ka figura mjaft të mira në përbërjen e saj, ka potenciale intelektuale të jashtëzakonshme, të cilët janë brenda grupit parlamentar, por dhe jashtë grupit që pse jo mund të përfshihen në formatimin e ri të grupit parlamentar.

Do kemi surpriza në listat e PD për deputetë?
Kjo është çështje, që është ende në diskutime në forumet e larta të PD. Gjithmonë ekipet riformatohen. Unë jam i sigurt që ekipi që do të formësojë PD, ekipi që ne do të dalim përpara qytetarëve dhe votuesve shqiptarë do të jetë një ekip fitues.

(b.m/shqiptarja.com)