Gazetari Osman Stafa ka kallëzuar në komisariatin nr. 3 dy persona duke pretenduar se është fyer dhe lënduar lehtë prej tyre.

Ndërkohë, dy qytetarët kanë deklaruar se kanë pasur një konflikt me gazetarin pasi ai u ka kërkuar llogari për mungesën e tyre në protestë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 21.06.2026, rreth orës 22:00, pranë sheshit “Skënderbej”, është njoftuar Policia për një konflikt ndërmjet disa shtetasve.

Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar në Komisariat personat e përfshirë.

Konkretisht, shtetasin O. S., gazetar, i cili ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga shtetasit Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta.

Nga ana tjetër, shtetasit Z. N. dhe M. P. kanë deklaruar se konflikti ka nisur pas një debati verbal me shtetasin O. S., pasi ky i fundit u ka kërkuar llogari lidhur me mospraninë e tyre në tubimin e zhvilluar në qytet.

Në lidhje me këtë rast po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë.