PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u shprehën se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por kreu i LVV-së, Albin Kurti, nuk u deklarua pas takimit. Osmani tha pas takimit me kryetarët e partive politike, se ka afat kushtetues deri më 5 nëntor që të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo të mandatojë dikë për të formuar ekzekutivin e ri. Ajo tha se Kurti i ka kërkuar që të takohen para 5 nëntorit. E para e vendit la të kuptohet se në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe nëse LVV-ja kërkon të mandatohet sërish për të formuar ekzekutivin, mandatar nuk mund të jetë Kurti pasi asaj i kërkohet që të mandatojë një person “tjetër”.
Sipas presidentes, Kushtetuta e obligon atë që “të bëjë çmos” për të shmangur zgjedhjet. Ajo tha se në takim ka folur edhe për çështjen e buxhetit të vendit, duke theksuar se ajo mund t’i drejtohet Kuvendit me kërkesën për zgjatje buxhetore, e jo për të kërkuar që deputetët të miratojnë një buxhet të ri. Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të reja, pas takimit kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmendi dy datat më të hershme: 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, duke kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt. PDK-ja, po ashtu, kërkoi mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve, ndërkaq LDK-ja tha se asnjëra nga partitë nuk e ka shumicën.
Osmani sqaron nëse Kurti mund të mandatohet sërish
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u pyet lidhur me mandatarin e dytë, përkatësisht nëse ajo mund të mandatojë dy herë një person, në këtë rast kreun e LVV-së, Albin Kurti. Ajo tha se në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014, 2020 dhe 2021 thuhet qartë që herën e dytë presidentja “duhet ta caktojë mandatarin tjetër”.
“Këto aktgjykime, me vetë faktin që përmendin mandatarin tjetër, interpretimi ynë është që nënkupton mandatar tjetër. A më duket e logjikshme një gjë e tillë, nuk më duket aspak për një arsye shumë të thjeshtë: një mandatar ndoshta sot nuk i ka votat por mund t’i krijojë pas dy muajsh, pas dy javësh”, tha Osmani. Osmani tha se mund të ndryshojnë rrethanat politike dhe një udhëheqës politik mund të krijojë shumicën, por në aktgjykimet e Kushtetueses në disa vende është përmendur “mandatar tjetër”, dhe sipas saj presidenca i respekton çdo aktgjykim.
Komente






