Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian është e pandalshme pavarësisht vështirësive dhe pengesave politike.
Në një intervistë për median britanike Monocle javwn e shkuar, Osmani theksoi se për shtete si Kosova, diplomacia shumëpalëshe është jetike, pasi nuk ekziston mundësia për të qenë fizikisht i pranishëm në çdo vend të botës.
“Mendoj se është jetike për të gjithë, për shtete të mëdha apo të vogla në mbarë botën, por është veçanërisht jetike për shtete si Kosova, sepse ne nuk kemi gjithmonë mundësinë të takojmë të gjithë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Shumica e angazhimit tonë diplomatik zhvillohet brenda kontinentit evropian. Do të na duhej shumë kohë për të vizituar secilin shtet veç e veç, në çdo kontinent”, tha ajo.
Ajo solli në kujtesë genocidin që ka përjetuar Kosova dhe vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ekzistenciale.
“Marrëdhënia që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-të udhëhoqën botën për të na shpëtuar jetët dhe për të na dhënë mundësinë të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të gëzojmë demokracinë që kemi sot. Nga ana tjetër, Kosova është shndërruar në një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane në historinë moderne, jo vetëm të SHBA-ve, por edhe të NATO-s në përgjithësi, sepse edhe shtete të tjera kontribuuan, si Mbretëria e Bashkuar dhe shumë vende të Bashkimit Evropian”, tha Osmani.
Osmani bëri të ditur se aktualisht Kosova po punon ngushtë me administratën e presidentit Donald Trump për ta zgjeruar bashkëpunimin përtej diplomacisë tradicionale, me fokus të veçantë në mbrojtje dhe ekonomi.
“Aktualisht po fokusohemi kryesisht në dy sektorë: Mbrojtja, kemi mbështetje të madhe nga SHBA-të në fushën e mbrojtjes. Ne jetojmë në një kontinent shumë të brishtë, e rajoni ynë është edhe më i ndjeshëm nga aspekti i sigurisë. Prandaj është thelbësore që të kemi kapacitetet e nevojshme mbrojtëse. Ekonomia, po punojmë shumë me SHBA-të për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik. Në të kaluarën, ky bashkëpunim ishte kryesisht ndihmë. Sot ekziston një potencial i madh investimi. Kosova, ndonëse shihet si vend i vogël, përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë ka qasje të lirë në qindra miliona evropianë. Pra, kur investoni në Kosovë, ju investoni në tregun evropian, me kosto më të ulëta të punës, çmime më të favorshme, sistem ligjor dhe financiar shumë të mirë dhe si shteti më pro-amerikan në botë. Mendoj se i plotësojmë të gjitha kushtet për të qenë një destinacion i dëshirueshëm për bizneset amerikane”, tha ajo.
Osmani foli edhe për diskriminimin që Kosova ka përjetuar në procesin e integrimit evropian, përfshirë vonesat për liberalizimin e vizave dhe mungesën e statusit të kandidatit, pavarësisht përmbushjes së kushteve dhe vlerësimeve pozitive nga raportet e BE-së.
“ Jemi i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati, ne vazhdojmë të qëndrojmë në këtë rrugë. Edhe pse raportet e BE-së na rendisin si reformuesin kryesor në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, demokraci dhe zhvillim ekonomik, përparimi nga ana e tyre mungon. Por durimi ynë nuk do të shterojë, sepse kjo është më e rëndësishme. Qëndrimi në vlerat euro-atlantike është pjesë e identitetit tonë historik. Ne do të qëndrojmë në këtë rrugë. Nuk do të flirtojmë me fuqi të tjera dhe shpresojmë të frymëzojmë edhe të tjerët”, tha Osmani.
Sipas saj, durimi i Kosovës nuk do të shterojë, pasi qëndrimi në vlerat euro-atlantike është pjesë e identitetit historik të shtetit dhe popullit të saj./ RTK
Komente








