Për tjetrin hap në rrugëtimin
drejt integrimit

Për tjetrin hap në rrugëtimin<br />drejt integrimit
Që prej periudhave të largëta të latinëve u formulua, u artikulua dhe u përsërit parreshtur thënia “Similis simili gaudet” (Çdokush kënaqet me të ngjashmin e vet), për të treguar vlerat e dokohshme që mund t’i bashkonin individët. Edhe në periudhat e mëvonshme ky lokucion nuk mbeti pa u përmendur, por me kuptimin e përshtatur sipas zhvillimet të jetës, që e kërkonin mirëkuptimin përtej individëve të caktuar.

Pra, midis popujve të ndryshëm, për të arritur në një botë ku civilizimi të prekte territore të gjera dhe të depërtonte në kontinente të tëra. Kohëve moderne ishte edhe “Similis simili gaudet” një nga mesazhet e dhëna më shpesh atje ku e kishte origjinën - në Evropë, për të zhdukur pasojat e një lufte botërore të pëgjakshme dhe për të ringritur mbi bazamente të fuqishme urat e miqësisë midis popujve.

Për të ringritur ato ura, që nisën të shfaqen me krijimin e Këshillit të Evropës, shumë shpejt filloi edhe ndërtimi i një organizmi supranacional, si shprehje cilësisht më e koncentruar – BE, fillesat e të cilit u ngjizën që më 1952 me Traktatin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. U ngjizën me këtë Traktat, duke përcaktuar një rol vendimtar në mbikqyrjen e zbatimit të së drejtës së një Unioni të ri, në mbikqyrjen si nga institucionet e tij gjatë implementimit të Traktateve, edhe nga Shtetet Anëtare dhe individët për formësimin e vazhdueshëm të kësaj të drejte.

Dhe, një nga devizat për zgjerimin edhe në ditët tona të Bashkimit Evropian është pikërisht ajo: “Similis, simili gaudet”, tashmë pa qenë nevoja të trumpetohet, përderisa vetë Kryeministri i një vendi me rrënjë të thella në këtë Kontinent, për shembull, shprehet që “Shqiptarët mbeten besimtarët më të bindur të Evropës në Ballkan”.

     Kështu, në kuadër të aspirimit për bashkim me familjen  evropiane, rrugëtimi i disa vendeve më pak të zhvilluara drejt integrimit në Union nuk mund të jetë i shkurtër dhe i lehtë për të kënaqur Shtetet Anëtare të tij, pra, për të ngritur e forcuar menjëherë në mënyrë të qendrueshme institucionet demokratike, për të konsoliduar shtetin e së drejtës dhe përparuar me ritme shumë të shpejta ekonominë e tregut të lirë, për të përshtatur plotësisht ‘acquis communautaire’ në legjislacionet kombëtare, si parakusht për zbatimin efektiv të së drejtës komunitare, për të aplikuar saktësisht procedurat e Bashkimit Evropian, përmes përshtatjes së strukturave të tij administrative dhe ligjore, duke respektuar në linja të plota e permanente të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij.

Të gjitha këto kritere, me sa u duk dhe u kuptua gradualisht, Shqipërinë e gjetën jo fort të përgatitur në këtë rrugëtim. Jo fort të përgatitur, që kur më 12 qershor 2006 u nënshkrua në Luksemburg Marrëveshgja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane bashkë me Shtetet Anëtare, që kur një muaj e gjysmë më vonë, më 27 korrik të atij viti, Kuvendi i Shqipërisë e ratifikoi këtë Marrëveshje, dhe që kur ky Dokument hyri në fuqi më 1 prill të 2009-s, pas ratifikimit të MSA-së prej Shteteve Anëtare të BE. Jo rrallë u vu re dhe u ndje ngadalësi e patolerueshme dhe ngecje e paarsyeshme në disa drejtime, që e detyruan Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Unionit që ta refuzonte tre vjet rresht kërkesën e Shqipërisë për të përfituar statusin zyrtar të Shtetit Kandidat në Bashkimin Evropian.

Më së fundmi, akordimi i këtij statusi, që konsiderohet si kalimi i një kthese realisht historike të rrugëtimit të gjatë drejt integrimit evropian, nuk mund të harrohet që u bë i mundur vetëm një vit pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013, të vlerësuara për herë të parë në Shqipërinë e dy dekadave të fundit, si: të lira dhe të ndershme. Por, të mos harrohet që BE ka përcaktuar prej kohësh mekanizmat e ndikimit të vet për nxitjen e demokratizimit të vendeve aspirante, madje edhe pas dhënies së statusit të Shtetit Kandidat, të shumëpritur në Shqipërinë që tashmë ka nisur të performojë disa vlera reale evropiane.

Prandaj, Kryetari në ikje i KE, Barroso, gjatë vizitës së tij në Tiranën zyrtare të ditëve të mbrame, nuk ndejti këtu pa i kujtuar apo këshilluar klasën politike shqiptare, veç të tjerash, edhe që “cilësia e demokracisë është shumë e rëndësishme”. Shumë e rëndësishme, sepse po t’i referohemi edhe Frank Schimmelefennig, profesor i njohur i politikës evropiane në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Krahasuese: “Kushtëzimi demokratik është strategjia bazë”, përmes së cilës, Unioni synon të arrijë përmbushjen nga vendet aspirante të kritereve që u përmendën më lart.

Pikërisht, pjesë të tërë këtyre kritereve përbëjnë edhe reformat e përcaktuara për t’u realizuar këtu, pas marrjes së statusit të Shtetit Kandidat. Të këtij statusi, që nga brenda bashkësisë evropiane cilësohet si shtysë për të hedhur Shqipëria hapin tjetër, hapin e dytë në rrugëtimin e integrimit. Pra, veçse si një shtysë, sepse dihet që çdo gjë, çdo ngjarje dhe çdo proces ka dy tregues themelor, aspektin objektiv dhe atë subjektiv, pa përcaktimin e të cilëve nuk mund të parashikohet arritja e qëllimit. Më tej, edhe kur ky përcaktim bëhet saktësisht, rezultati mund të paraqitet i ndryshëm. I ndryshëm, sepse ndonëse aspekti objektiv mbetet po ai, aspekti subjektiv nuk i përgjigjet vashdimisht. Ose anasjelltas. E thënë ndryshe, nëse diçka sado e mirë dhe e bukur qoftë, do të lidhej me diçka tjetër që në brendësi të saj del pa shumë vlerë, atëhere realiteti mund të mos jetë i këndshëm, i pëlqyeshëm.

Sidoqoftë, kur për njeriun apo për një popull të tërë ekziston një shtysë, vullneti nuk bie në qetësi dhe energjitë s’rrinë dot pa punë, ndërkohë që as njëri dhe as të tjerat nuk mund të lëvizin vetë.   
Në rastin e zhvillimeve tona të mëtejshme, domethënë për përmbushjen e reformave në pesë drejtime, sipas navigimeve kryesore të rrugëtimit, raporti i rolit të kapaciteteve të brendshme të Shqipërisë me atë të shtysës nga Bashkimi Evropian, fare mirë mund të lidhet po aq ngushtësisht sa hidrogjeni me oksigjenin në përmbajtjen e ujit, saktësisht sipas formulës së kësaj lidhjeje.

Me fjalë të tjera, pa as më të voglin dyshim janë forcat kombëtare ato që duhet të mbajnë peshën më të madhe në kryerjen e reformave, duke gjetur sigurisht mbështetje nga faktori ndërkombëtar. Këtë ide e përforcoi bindshëm Kancelarja gjermane, Merkel, që në një konferencë për shtyp të mbajtur nga fundi i këtij qershori në Berlin, për Shqipërinë u shpreh: “Do të ketë një proces hap pas hapi...Është një proces i gjatë. Vendi hodhi një hap përpara me statusin e kandidatit. Hapja e negociatave varet vetëm nga progresi i vendit në reforma”.   

Deri tani, përveç disa sinjaleve që janë dhënë për projektimin dhe nisjen ende jo përfundimtare të ca ndryshimeve si, për shembull, përcaktimi i disa varianteve të reformës administrative – territoriale, ngritja e një grupi ekspertësh për amendime të nevojshme kushtetuese dhe legjislative materiale e procedurale, një operacion spektakolar në Lazarat kundër kultivimit e trafikimit të drogës etj., vështirë të bëhet që tani ndonjë vlerësim përfundimtar i ecurisë së mëpastajme. I vetmi parashikim që mund t’i referohesh lidhet me deklaratën e fundit të Kryeministrit Rama, sipas të cilit: “Jemi të vendosur të kryejmë ato reforma të zvarritura vit më vit!”.

Pra, potencialisht ekziston mundësia që vendi të mos ndalet në vend, por të përpiqet që të hedhë një hap të dytë, i cili do të çojë te çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa, për disa, që skepticizmi ndaj ndryshimeve i gërryen përgjithmonë, edhe hapësirat evropiane mund t’u duken të përzishme ngaqë i vështrojnë pas “xhamave” të gërvishtur të vetëdijes së tyre.     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Pse opozita ka 4 muaj nuk proteston para dyerve të kryeministrisë?

Spahiu: Pse opozita ka 4 muaj nuk proteston para dyerve të kryeministrisë?