Tre aksidente fatale janë shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, me pasojë vdekjen e tre personave. I pari u shënua rreth orës 03:15, duke i marrë jetën tragjikisht një vajze të re, rreth 23 vjeçe. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Fier-Patos, ku mjeti tip “Benz” kishte dalë nga rruga dhe ishte përmbysur në një kanal, ku përveç viktimës ishte plagosur rëndë dhe drejtuesi i mjetit, 27- vjeçari Taulant Ershani.

Ndërkohë, vetëm dy orë më vonë, u shënua një tjetër aksident i rëndë, ku viktimë mbeti një 72-vjeçar. Aksidenti ndodhi në afërsi të Sukthit, ku mjeti autobus me drejtues një 48 vjeçar nga Tetova ka aksidentuar shtetasin me iniciale D. B., 72 vjeç, banues në Durrës. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit.

Gjithashtu, po në Durrës është shënuar një tjetër aksident me vdekje, edhe këtë radhë viktimë ka mbetur një e moshuar. Bëhet fjalë për 70-vjeçaren F. B., banuese në Rrashbull, e cila është përplasur për vdekje nga treni i linjës Durrës-Shkodër. Polici aka shoqëruar në komisariat drejtuesin e trenit, ndërsa vijojnë hetimet për të tre aksidentet.

d.c./shqiptarja.com