Përmbytjet, përmirësohet gjendja
MB: U evakuuan familjet në rrezik

Situata e vështirë e krijuar nga përmbytjet për shkak të reshjeve, në disa qarqe të vendit, është përmirësuar ndjeshëm nga ora në orë.
 
Sipas Ministrisë së Punëve të Brenshme nga informacionet e mbledhura nga grupet në terren deri në orën 21:30 të gjithë personat e rrezikuar nga përmbytjet në banesat e tyre janë evakuuar larg zonave që goditen nga përmbytjet. Puna e ekipeve në terren është fokusuar në tërheqjen e ujërave nga rrugët,  si dhe sigurimin e strukturave mbrojtëse, argjinaturave etj.

Qarku i Fierit paraqitet më problematiku sa i përket situatës së përmbytjeve në vend, ndërsa në zonat e tjera të prekura gjendja është përmirësuar ndjeshëm.

Fshatrat Katund i ri dhe Sukth në Shijak ishin ndër më të prekurit në qarkun e Durrësit. Sipas Ministrisë së Brendshme situata është përmirësuar për shkak të ndërprerjes së reshjeve dhe uljes së nivelit të ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm. Në katund të Ri u evakuuan për arsye sigurie 185 persona banesat e të cilëve rrezikohen nga përmbytjet dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Ndërsa në Sukthe forcat e ushtrisë kanë shpërndarë ndihma për familjet në nevojë.

Lezha e cila në ditën e parë të përmbytjeve u paraqit si zona më problematike në vend, është përmirësuar ndjeshëm këtë të enjte. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme akset rrugore janë të kalueshme plotësisht dhe fiderat dhe hidrovoret në këtë qark punojnë me kapacitet të plotë.
 
Edhe në Tiranë situata është normalizuar. Punoënjësit e bashkisë së kryeqytetit kanë riparuar urën e vogël që lidh “5 Majin” me Paskuqanin.
 
Ora 21:30 Situata ne qarqet kryesore
Qarku Durrës

Gjatë orëve në vazhdim pas ndërprerjes së reshjeve situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm po shkon në shtratin e tyre. 
 
Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit, ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja. 
 
Nga forcat e ushtrisë janë shpërndarë ndihma për familjet e evakuuar, të cilat në total bëhen rreth 250 familje. 
 
Qarku Tiranë
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situata është përmirësuar e po shkon në normalitet.
Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujrat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të bashkisë të Tiranës.
 
Familjet e rrezikuara në Njësinë Administrative nr.4, të bashkisë Tiranë janë evakuuar pranë të afërmve të tyre. 
 
Tubacioni i ujit që kalon përmes lumit të Tiranës në Njësinë Administrative nr.4, është nën monitorimin e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, të cilët janë në gatishmëri me personel dhe mjete, nëse do të ketë ndonjë pasojë tjetër për shkak të prurjeve të lumit.
 
Qarku Lezhë
Ujërat nga qyteti i Lezhës janë tërhequr dhe mjetet e ushtrisë po punojnë në komunën Zejmen, për hapjen e rrugëve. Uji nga banesat është tërhequr nga të gjithë sipërfaqja. Situata në këtë bashki po shkon drejt normalizimit.
 
Në bashkinë Mirditë, janë dëmtuar tre ura që lidhin Bashkinë me komunat. 
 
Si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentrali i Shkopetit është gërryer “Rruga e Kombit” në segmentin e fshatit Skuraj, në Bashkinë Kurbin. Po ndërhyhet me mjete për mbushjen e trasesë së rrugës me gurë dhe inerte.
 
Në njësitë administrative Kaçinar dhe Ugrej rrugët janë hapura dhe qarkullimi bëhet normalisht. Është dëmtuar tubacioni i ujit të pijshëm të Kaçinarit, për të cilën po merren masa për lidhjen e tij. 
 
Në këtë qark hidrovorët janë në punë dhe me kapacitet maksimal.
 
Qarku Elbasan
Ka shembje të rrugës përpara fshatit Xibrakë, dhe po punohet për hapjen e rrugës, duke mos bllokuar qarkullimin. 
 
Është shembur një urë në fshatin Polis. Ura Çengele në Peqin është vënë në punë. 
 
Megjithëse kanë rënë prurjet e lumit Shkumbin, gjithë zona anës lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë ka prezencë të ujit. 
 
Shtabi i emergjencës së Prefekturës dhe të bashkive respektive po punojnë me mjete në të gjithë qarkun për të normalizuar situatën 
 
Qarku Dibër
Është normalizuar situata problematike në fshatit Gjoricë e Poshtme. 
Në fshatin Brezhdan ka prani të ujit në një sipërfaqe afër 100 ha tokë bujqësore. 
Aksi rrugor nacional Lurë-Kurbnesh-Rëshen është dëmtuar në vendin e quajtur “përroi i gjeollogjisë”, ku po punohet me mjet tip fadromë, dhe situata është drejt përmirësimit. 
 
Në bashkinë Klos, njësia administrative Xibër, janë dëmtuara dy ura, në fshatin Xibër Hane, dhe një urë në Xibër Murrizë.
 
Akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe po monitorohen nga shtabi i emergjencave të prefekturës, bashkive dhe policia rrugore.
 
N/prefektura Kavajë
Në njësinë administrative Gosë, situata po shkon drejt përmirësimit. Problem mbetet grykëderdhja e lumit Shkumbin, ku si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokë bujqësore në fshatin Kalush.
 
Në njësinë administrative Sinaballaj, janë përmbytur 40 ha tokë bujqësore. 
Një subjekt privat i ndodhur në këtë njësi, është i bllokuar nga ujërat, dhe personeli është larguar nga ky ambient, por mbetet problem dëmtimi i blegtorisë së ndodhur në të.
 
Stacioni i pompimit të ujit në fshatin Harizaj ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për rreth një orë. Dy hidrovorët funksionjnë normalisht dhe me kapacitet të plotë.
 
Komisariati i Policisë është në gatishmëri të plotë duke iu përgjigjur çdo kërkese të bashkive dhe njësive administrative për normalizimin e situatave që krijohen nga shirat e rëna.
 
Lushnje
Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës nacionale pranë fshatit Çermë.  Janë evakuuar të gjithë familjet që ishin në rrezik. Mjetet e bashkive Lushnje dhe Divjakë dhe të ushtrisë janë në terren për mbylljen e argjinaturës.  Uji ka filluar të tërhiqet ndërsa niveli i përmbytjeve po bie. 
 
Të gjitha strukturat përgjegjëse janë në terren.
 

Ora 15:30 Situata ne qarqet kryesore sipas Ministrise se Brendshme
​Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme deri në orën 15:30 në afërsi të fshatit Thanasaj në Fier është çarë argjinatura fundore për shkak të prurjeve të mëdha në grykëdershje të lumit Shkumbin. Rreth 20 familje janë evakuuar nga ky fshat, ndërsa po merren masat për evakuimin e banorëve edhe nga fshatrat Çermë dhe Tërbuf të cilat rrezikohen nga ujërat e Shkumbinit, por edhe prurjet nga deti. Në këtë zonë janë anagazhuar edhe forcat ushtarake.
 
Në qarkun e Elbasanit, aksi Cërrik-Gramsh është i pakalueshëm për shkak se është rritur niveli i liqenit të HEC-it të Banjës, por funksionon rruga e sipërme Llixhat-Gramsh
 
Në rrethin e Mirditës problem mbetet ura e Cekajve që lidh Rrëshenin me zonën e Kaçinarit,e cila është e pa kalueshme sepse ende ka rreth 1 metër uji mbi nivelin e saj. Qarkullimi i mjeteve në këtë zonë bëhet në rrugën Kaçinar-Ungrej-Kreshte-Lezhe.
 
QARKU FIER
Në grykëderdhje të lumit Shkumbin, në afërsi të fshatit Thanasaj, është çarë argjinatura fundore për shkak të prurjeve të mëdha. Si rezultat ujrat e lumit Shkumbin, po kthehen mbrapsht por gjithashtu ka prurje edhe nga deti, duke krijuar përmbytje në të gjithë zonën. 
Rreth 20 familjet e fshatit Thanas janë shpërngulur dhe po merren masa për evakuimin e familjeve nga fshati Çermë dhe Tërbuf të cilet rrezikohen.
 
Në vendngjarje po punon 1 fadromë dhe familjet po transportohen për në zonën e evakuimit me rimorkiatorë edhe 2 eskavatorë të Bordit të Kullimit.
Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 50 forca ushtarake, 3 fadroma, 2 traktorë me zinxhirë dhe 2 eskavatorë. 
 
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka udhëzuar Nënprefektin për angazhimin e mjeteve të rënda të subjekteve private në eleminimin e çarrjes së argjinaturës.
Situata paraqitet ende e vështirë.
 
QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Cërrik-Gramsh është i pakalueshëm sepse në pjesën e poshtme për shkak se është rritur niveli i liqenit të HEC të Banjës, por funksionon rruga e sipërme Llixhat – Gramsh.
 
Pas riparimit te urës së dëmtuar në stacionin e pompimit Çekin, aksi Elbasan–Gramsh nuk ka ndërprerje të qarkullimit të mjeteve.
 
Në aksin Elbasan – Librazhd në vendin e quajtur Xibrakë janë larguar inertet nga subjekti i kontraktuar për mirëmbajtje dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalish në të dy senset. 
 
Në hyrje të qytetit të Peqinit nga aksi Rrogozhinë-Peqin është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis, Njësia Administrative Pajovë.
 
QARKU DURRËS
Gjatë orëve në vazhdim situata në qarkun e Durrësit është në përmirësim për shkak të ndërprerjes së reshjeve dhe uljes së nivelit të ujrave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm. 
 
Në fshatin Katund i Ri, Njësia Administrative Katund i Ri, bashkia Shijak për arsye sigurie janë evakuuar 185 persona, banesat e të cilëve rrezikohen nga përmbytjet dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre.
 
Në bashkinë Shijak dhe në Njësinë Administrative Sukth, situata është përmirësuar ndjeshëm. Forcat e ushtrisë kanë shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. 
Gjithashtu po monitorohet edhe niveli i ujrave në zonat problematike dhe veçanërisht niveli i shtratit të lumenjve Erzen dhe Ishëm, të cilët për momentin janë në rënie
 
QARKU TIRANË
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situate është përmirësuar e po shkon në normalitet. Gjatë orëve në vazhdim prurjet  në lumin e Lanës janë  ulur dhe ujrat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të bashkisë të Tiranës.
 
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë me mjete pranë hotel Eklipsit, në segmentin rrugor Tiranë- Elbasan, për largimin e masivit të dheut që u krijua nga rrëshqitja. Aktualisht është rivendosur qarkullimi normal i mjeteve.
 
Forcat dhe mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimeve në bashkinë e Tiranës kanë riparuar urën e vogël që lidh segmentin rrugor “5 Maji” – Paskuqan.
 
QARKU LEZHE
Situata është e përmirësuar. Akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në aksin e vjetër rrugore Lezhë-Zejmen-Pllanë ka prani të ujrave sipërfaqësore. Gjithashtu edhe në disa fshatra si Spiten, Zejmen, Markatomaj dhe Pllane. 
 
Hidrovoret në Tale dhe Ishull-Shengjin punojnë me kapacitet të plotë. Në disa zona fushore të rrethit Kurbin, megjithëse hidrovoret në Fushe-Kuqe dhe Adriatik funksionojnë me kapacitet të plotë, ka ende prani të ujrave sipërfaqësore, si në tokat bujqësore të Njësisë AdministrativeFushe-Kuqe. 
 
Në rrethin e Mirditës mbetet problem ura e Cekajve qe lidh Rreshenin me zonën e Kaçinarit,e cila është e pa kalueshme sepse ende ka rreth 1 m uji mbi nivelin e saj. Qarkullimi i mjeteve në këtë zonë bëhen në rrugën Kaçinar-Ungrej-Kreshte-Lezhe.
 
Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit. 
 
Emergjencat Civile u apelojnë qytetarëve të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit apo në numrin 128 të Shërbimit Zjarrfikës, për çdo rast emergjence apo situatë problematike.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen