TIRANE - Partia Demokratike, ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave në qarkun e Lezhës që kanë ardhur si rezultat i përmbytjeve që kanë përfshirë këtë qark, ndërsa kërkon nga qeveria të marrë masa të menjëhershme lidhur me situatën e krijuar.

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e PD, Oriela Nebiaj, ka akuzuar qeverinë, se ka reaguar me vonesë ndaj përmbytjeve, çka sipas opozitës është shkaku i situatës së rënduar në qarkun e Lezhës.

Sipas PD, qeveria vihet në lëvizje, vetëm në momentin kur nga përmbytjet shkaktohen viktima. Në këtë kontekst, Nebiaj, ka kërkuar nga ana e mazhorancës që “të marrë masa parandaluese, dhe ku  për shkak të neglizhencës së qeverisë të mos kemi më viktima dhe ngjarje të rënda si ato që ndodhën mbrëmë.”

Më poshtë komunikata e plotë për shtyp e Partisë Demokratike:

Partia Demokratike shpreh ngushëllimet më të thella për viktimat e shkaktuara në Qarkun e Lezhës nga moti i keq. Deputetët dhe strukturat e Partisë Demokratike gjenden pranë familjeve dhe të afërmve të viktimave në këtë ditë dramatike për to. Ne dënojmë reagimin me vonesë dhe të pakordinuar të qeverisë, e cila si gjithnjë është prezente në ekran por mungon aty ku duhet, aty ku njerëzit kanë nevojë. Qeveria dhe Edi Rama, vihen në lëvizje vetëm kur moti i keq shkakton viktima.
Asnjë plan prej tyre për të marrë masa parandaluese, asnjë vizion për këto zona që gjithnjë vuajnë nga reshjet dhe nga moti i keq i dimrit.

Të gjithëve na kujtohet se si kur ishte në opozitë, Edi Rama shfrytëzonte me cinizëm e në mënyrë cnjerëzore rastet e përmbytjeve për të ngritur mbi to mashtrimin e madh politik e elektoral, se me të, nuk do të përsëriteshin ngjarje të tilla fatkeqe. Por ja ku jemi sot, me rajone të tëra nën ujë, dhe me qeverinë e Edi Ramës që paraqitet si vizitore, vetëm e vetëm për t’u dukur në ekrane. Ne i kërkojmë Edi Ramës të marrë masa të menjëhershme për zgjidhjen e situatës së rënduar, të marrë masa parandaluese, që për shkak të neglizhencës së qeverisë të mos kemi më viktima dhe ngjarje të rënda si ato që ndodhën mbrëmë.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)