Megjithatë përsëri në një pjesë të konsiderueshme të fshatit akoma nuk është tërësisht uji. Banorët shprehen se përmbytja e këtij viti është më e madhja e të gjitha kohërave që nga viti 2005.
Çfarë la pas Vjosa tre dite pasi doli nga shtrati? Report tv ka ndjekur në brendësi të fshatit Fitore dëmet që ajo ka shkaktuar. Nuk është hera e parë, por që nga 2005 Vjosa ka dale tre here nga shtrati duke shkaktuar dëme kolosale në fshatrat e njësisë administrative të Novoselës.
Report tv ndalesën e pare e bëri pikërisht në shkollën Ismail Qemali në fshatin Fitore. Drejtori i shkollës Shyqyri Aliaj dhe mësues të kësaj shkolle janë duke pastruar shkollën për ta vënë atë në funksionon për nxënësit që pritet të rifillojnë mësimin ditën e mërkurë.
“Situata është e vështirë. Sot është pezulluar mësimi. Jemi angazhuar me mësuesit për ta pastruar shkollë. Nuk besoj që mësimi fillon para së mërkurës sepse karriget e tavolinat janë të lagura”, thotë Shyqyri Aliaj, drejtor i shkollës.
Ndërkohë që edhe sot janë 50 banesa në fshatin Fitore të njësisë administrative të Novoselës të cilat gjenden të pushtuara nga uji.
“Të gjitha sendet që kishim brenda janë shkatërruar, gjysmat i kemi nxjerrë jashtë”, tha një banorë.
Është dita e tretë e përmbytjeve dhe situata në disa banesa vijon të jetë mjaftë shqetësuese.
“Nuk ka ardhur njeri të na shohë. Ne përmbytemi sa herë del lumi”, shprehet një banorë i fshatit.
Disa nga banorët që kanë mundur të hyjnë nëpër shtëpitë e tyre kanë nisur pastrimin nga mbeturinat që ka lënë uji , si dhe tharjen e orendive shtëpiake nga lagështira.
“Nuk duam asnjë lek, duam vetëm të bëjnë argjinatura që të shpëtojë populli, është gjynah është viti i tretë që përmbytemi. Kjo është puna e djemve, 25 vite në emigracion i shkuan dëm”, thotë mes lotësh një tjetër banore.
Në shumë banesa të përmbytura është e pamundur të hyhet edhe sot në ditën e tretë, pasi uji nuk është tërhequr ende. Banorët shprehen se prurjet e lumit Vjosë kanë qenë më të mëdha se çdo herë tjetër, dhe niveli i ujit ka arritur deri në 1.5 m lartësi.
Ndërkohë shtabi i emergjencave civile në Vlorë ka nisur inspektimin në banesat e përmbytura dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara si pasojnë e përmbytjeve.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

VIDEO









