TIRANE- Marjan Rroku është dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes me dashje të dy personave”. Treshja gjykuese e përbëre nga Medi Bici, Altin Abdiu dhe Elvis Kotini, ka pranuar në shkurtin e vitit 2002, kërkesën e prokurorit Saimir Hysi, për deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm të ish-punionjësit të SHIK Marjan Rroku. Në vendimin e gjykatës së Tiranës, tregohet se ngjarja ka pasur si motiv një histori dashurie mes Rrokut dhe gjimnazistes Alda Canaj.

Lidhja mes dy të rinjve është përkeqësur për shkak të dhunës fizike dhe presioneve të vazhdueshme që ushtronte Rroku ndaj 16-vjeçares. Këto veprime kriminale, dhuna, presioni dhe përndjekja ishin denoncuar nga familja në polici disa herë dhe tek ish-kreu i SHIK Fatos Klosi, por edhe ky i fundit nuk mund ta parandalojë tragjedinë me dy viktima.

Njohja me Rrokun
Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezulton se i pandehuri Marjan Rroku në vitin 1999 ka filluar punë në Drejtorinë qëndrore të Shërbimit Informativ Kombëtar me detyrën e oficerit. Gjatë kësaj periudhe ai bashkë me dëshmitarët Skerdi Ymeraj dhe Sulejman Xhetani që ishin punonjës të ShIK, janë njohur me një grup vajzash studente që banonin në godinat e qytetit “Studenti”. Ndër këto vajza kanë qënë motrat Ornela dhe Alda Canaj.

Fillimisht personat e mësipër kanë ndenjur bashkë nëpër lokale dhe më pas i pandehuri ka filluar të shoqërohej veçmas me viktimën Alda Canaj, e cila ishte nxënëse e shkollës së mesme të Gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Pas kthimit nga pushimet verore të sezonit 1999–2000 ndërmjet të pandehurit Marjan dhe viktimës Alda është krijuar një miqësi e ngushte, duke arritur deri atje sa kjo e fundit kishte shkuar dhe në dhomën ku banonte i pandehuri Marjan.

Dhuna fizike
Më pas i pandehuri ka filluar të shfaqë shenja të theksuara xhelozie ndaj viktimës Alda dhe në muajin nëntor ai e ka rrahur viktimën, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Pas këshillës që i ka dhënë motra e saj, dëshmitarja Ornela e dëmtuara Alda ka bërë kallëzim në komisariatin Nr. 1 të policisë të cilin e ka tërhequr më vonë. Në këtë kohë dëshmitarja Ornela ka vënë në dijeni prindërit e saj, dëshmitarin Faslli Canaj dhe viktimën Mbarime Canaj, të cilët banonin në rrethin e Mallakastrës.

Ankimi tek Klosi
Dëshmitari Faslli pas konsultimit me vajzat e tij është ankuar tek titullari i SHIK Fatos Klosi, i cili ka ngarkuar dëshmitaren Vera Halili me punë në Drejtorinë e personelit që ta zgjidhte këtë çështje. Dëshmitarja Vera pasi ka marrë takim me vajzat dhe me të pandehurin ka marrë prej këtij të fundit premtimin se nuk do ta ngacmonte më viktimën Alda. Por i pandehuri duke mos hequr dorë nga rruga që kishte nisur shkon në shkollën “Asim Vokshi“ dhe grindet me dezhurnin, sepse donte të takonte viktimën kundra dëshirës së saj.

Meqënëse dhe ky sherr merr përmasa të mëdha, i pandehuri bashkë me dëshmitarin Sulejman Xhetani shkojnë në fshatin Greshicë të rrethit Mallakastër dhe takojnë dëshmitarin Faslli. I pandehuri pasi i tregon deshmitarit për ato që kishte bërë, i kërkon falje duke premtuar se nuk do ta përsëriste më veprimin e bërë. Duke parë problemet që i ishin krijuar vajzës së tyre, familja Canaj vendos të marrë një shtëpi me qëra në Tiranë dhe përfundimisht vendoset pranë pallatit të Sportit “Asllan Rusi“.

Vrasja
Ditën e ngjarjes i pandehuri ka qënë me leje të zakonshme. Atë ditë ai ka qënë në punë dhe ka ndenjur vetëm një gjysëm ore. Ndërsa viktima Alda si çdo ditë ka qënë në shkollë. Rreth orës 12:00 viktima ka takuar dëshmitaren Ornela dhe i ka thënë kësaj të fundit se kam parë Marjanin para godinës së shkollës. Ajo i ka thënë dëshmitares Ornela se nuk ndjehem mirë dhe po pres mamin për të shkuar në shtëpi.

Viktima tjetër Mbarimja ka vajtur në shkollë dhe rreth orës 13:30 të dyja janë nisur për në shtëpi. Në sheshin para pallatit të sportit “Asllan Rusi“ i pandehuri u ka dalë para viktimave dhe me pistoletën personale të tipit “TT” ka qëlluar shtatë herë mbi dy viktimat duke i lënë ato të vdekura në vend dhe vetë është larguar me shpejtësi, duke mos u kapur nga organet e drejtësisë.

faksimile
 
Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)