TIRANE - Marrëdhënjet mes dy partive në koalicionin qeverisës, Lëvizjes Socialiste për Integrim të drejtuar nga Ilir Meta dhe Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha nuk janë në ditët e tyre më të mira. Madje këto marrëdhënie po rrëshqasin poshtë e më poshtë, aq sa janë krijuar hamendje madje dhe vënë baste në lidhje me kohën kur këto dy parti do të ndahen përfundimisht.

Një fakt të tillë duket sikur e konfirmon dhe anëtari i kryesisë së LSI, Spartak Braho teksa i kundërvihet kryeministrit Berisha në lidhje me dyzimin e tij për vlerësimin e luftës antifashiste Nacional Çlirimtare, rolit të Partisë Komuniste të Shqipërisë në këtë luftë dhe për më tepër rolit të komandantit të saj Enver Hoxha, për rivlerësimin e figurës së të cilit, me të mirat dhe të këqiat e tij është deklaruar javë më parë dhe kreu i kësaj partie, Meta.

"Berisha pas 20 vitesh u detyrua, nuk e shpjegoj dot saktësisht se përse, të vlerësojë Partinë Komuniste Shqiptare për rolin e saj determinant në organizimin dhe drejtimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. A thua vallë që ai nuk e di që komandant i përgjithshëm i Ushtrisë partizane gjatë luftës dhe më pas ishte Enver Hoxha?", ka qënë deklarata në formë pyetjeje e anëtarit të kryesisë së LSI, Spartak Braho dhënë dje për gazetën "Shqiptarja.com".

Përmes së cilës ka shprehur kundërshtinë e tij ndaj aleatit më të madh në qeverisje, duke treguar se ka shumë plasaritje në këtë koalicion dhe për më tepër duke hedhur hije dyshimi dhe mbi shëndetin e kreut të qeverisë Berisha. Por Braho, sërisht është mbajtur në qëndrimin e Berishës ndaj Luftës Antifashiste dhe rolit të PKSH dhe të Enver Hoxhës në këtë luftë.

"Ky është një fakt historik, të cilin Berisha e tha së fundmi, pas deklarimit të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, me rastin e festës së 29 nëntorit ditës së çlirimit të Shqipërisë. Kjo do të thotë që kryeministri ynë ka shenja skleroze më e pakta", ka deklaruar anëtari i kryesisë së LSI, Braho.

Duke dhënë në këtë mënyrë dhe vlerësimin e tij për ndryshimet e befta të qëndrimeve të Berishës për shumë çështje. Nga ana tjetër anëtari i kryesisë Braho nuk ka preferuar të deklarohet në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Marrëdhëniet mes LSI dhe PD kanë qënë të acaruara kohët e fundit, ku Meta më se një herë ka akuzuar dy partitë e mëdha se bllokuan integrimin.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)