KORE E VERIUT - Koreja e Veriut ka bërë të ditur se është futur në “gjendje lufte” me Korenë e Jugut, gjatë përshkallëzimit të fundit të retorikës së saj kundër fqinjëve jugorë dhe SHBA-së.

Një deklaratë e publikuar në median shtetërore premtonte “veprime të ashpra fizike” ndaj “çdo lloj akti provokues”.
Koreja e Veriut ka kërcënuar pothuajse përditë me sulme, edhe pse janë të paktë ata që mendojnë se do të rrezikohet një luftë e madhe.

Dy Koretë, Veriu dhe Jugu, kanë qenë teknikisht në luftë, që prej konfliktit të armatosur që përfundoi në vitin 1953, për shkak se një armëpushim nuk u kthye kurrë në një traktat paqeje.

Tensionet në gadishullin korean kanë qenë të larta, që prej testit të tretë bërthamor të Koresë së Veriut, më 12 shkurt, gjë që çoi në marrjen e sanksioneve të reja nga OKB.

Në deklaratën e Koresë së Veriut, të publikuar të shtunën thuhej: “Që nga ky moment e në vazhdim, marrëdhëniet Veri-Jug do të futen në një gjendje lufte dhe të gjitha çështjet e ngritura mes Veriut dhe Jugut do të trajtohen në përputhje me rrethanat.

Koreja e Veriut ka lëshuar kërcënime të shumëfishta ndaj SHBA-ve dhe Koresë së Jugut së fundi, përfshi këtu edhe paralajmërimin për “një goditje parandaluese bërthamore” kundër SHBA-ve si dhe heqjen e armëpushimit me Jugun.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)