TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi të mërkurën në Komisionin e Ekonomisë projektligjin për shërbimin e jashtëm, që në thelb shkurton disa burokracira të tepërta, që për një vend që aspiron Bashkimin Europian duhet të eliminohen.
Sipas Ministrit Bushati emërimet do të bëhen sipas meritokracisë, ndërkohë që duhet parashikuar që Parlamenti të ketë rol më diskret në procesin e emërimit të ambasadorë. Lidhur me këtë, deputeti i Partisë demokratike akuzoi kreun e diplomacisë shqiptare për emërime nepotike. Por ministri Bushati hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij. "Mbaj përgjegjësi pr çdo emërim nepotik të kryer", deklaroi Bushati.
Një tjetër çështje që trajton p/ligji lidhen edhe me trajtimin financiar të diplomatëve. Problemet financiare në shërbimin e jashtëm diplomatik janë trashëguar gjatë viteve, duke bërë që kushtet e jetesës së diplomatëve, por edhe imazhi i tyre të jetë jo në lartësinë e duhur.
Projektligji "Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë", parashikon që t'i vihet rregull kësaj veprimtarie, duke bërë të mundur që të rritet edhe zbatimi i programit të politikës së jashtme të vendit. Për këtë qëllim gjatë vitit të ardhshëm parashikohet të dyfishohet fondi për këtë zë, duke e rritur atë më 2 miliardë lekë.
Ministri Bushati bëri të ditur se ka patur mjaft abuzime në shërbimin e jashtëm, çka ka rritur faturën financiare të këtij dikasteri. Buxheti i shtetit për vitin 2015 i akordon Ministrisë së Jashtme 2.2 miliardë lekë, nga të cilat 1.9 miliardë lekë janë për zërin mbështetje diplomatike jashtë vendit. Projektligji u miratua vetëm me votat e maxhorancës, ndrësa opozita votoi kundër./a.gjonaj/ /a.g/










