Skëndër Minxhozi: 'Pa Berishën nuk ka zgjidhje', teza që i ka zënë frymën opozitës

Skëndër Minxhozi: 'Pa Berishën nuk ka zgjidhje', teza që i ka zënë frymën opozitës

Sali Berisha

Merreni dhe kthejeni virtualisht përmbys atë që po ndodh sot brenda fraksioneve të PD dhe do të keni gjetur të vërtetën e kulluar dhe kodin e saktë për të dalë nga ambjenti toksik ku noton sot kjo parti. Shahen e kacafyten, kërcënohen mes vetes dhe pastaj hedhin ndonjë llaf kundër qeverisë në të ikur e sipër. Betohen se do të eleminojnë fraksionin përballë, se do marrin vula e flamuj nga kampi kundërshtar, por në fund asgjë nuk ndodh. Secili shkon në shtëpitë e veta të rehatshme, shijon plazhin dhe fundjavat, ndërsa qeveria këqyr e kënaqur këtë teatër pa kohë, pa fund dhe pa krye.

Kjo është e vetmja korsi në të cilën rrjedh sot jeta opozitare. Gjithçka tjetër, teatri i shëmtuar në Kuvend, sulmet nëpër studio televizive dhe rrjetet sociale, akuzat dhe fyerjet personale, përbëjnë të gjitha universin paralel, flluskën e madhe klaustrofobike dhe rrethin vicioz ku vijojnë të pluskojnë ende burra e gra që duket sikur s’janë nisur kurrë për udhëtim, megjithëse valixhet i kanë gati prej vitesh në një stacion të boshatisur trenash, mbërthyer me palltot e dimrit dhe mbështjellë për rrugë të gjatë.

Kjo pamje ka vite që konsumohet si një fragment i ngrirë filmi, pa asnjë lëvizje, asnjë spostim sado të vogël. Gjithçka është pezull, e bllokuar dhe statike. Zhurmat e poterja janë vetëm një cipë e hollë që mbulon akullin e ngricën tashmë disavjeçare.

Realiteti i përmbysur i asaj që ndodh sot në PD, ai i vërteti, fokusohet kryekëput tek dy emra të përveçëm dhe gjerësisht të njohur: Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Janë dy personat që kanë dominuar totalisht dhe pa asnjë dilemë opozitën e dekadës së fundit. Janë dy arkitektët e rrënojës politike të 8 janarit.

Secili prej të dyve ka aksionet e veta në procesin shkatëërrimtar ku ndodhet PD-ja e sotme. Secili prej të dyve po i jep një grusht të rëndë të sotmes dhe të ardhmes së kësaj partie, duke luftuar me të gjitha armët që disponojnë brenda selisë së partisë për interesa ngushtësisht personale, pa u merakosur fare se kësisoj po rrënojnë muret, godinën dhe gjithëçfarë tjetër ka mbetur ende në këmbë.

Ndërsa për Bashën s’ja vlen të harxhosh shumë rreshta, pasi atij i ka mbetur pas shpinë një grusht burrash e grash, rasti i Berishës përbën situatën më hileqare dhe hipokrite të imagjinueshme sot në PD. Rreth gjysëm milioni vota që opozita mori në zgjedhjet lokale të 14 majit, janë, sipas ndjekësve nostalgjikë apo edhe servilë e rrethanorë të Doktorit, prova materiale e fuqisë së tij politike.

“Pa Berishën nuk ka zgjidhje, ai ka marrë gjysëm milioni vota”, bërtasin gjithë ditën dishepujt e Berishës. Në vend që të shohin sesi u humb pas 30 vjetësh Shkodra e Tropoja, ata që i shkojnë pas janë kapur pas gjysëm milionshit të votave, a thua se kjo shifër mund të impresionojë më dikë që e di sesa vota duhen për të ardhur në pushtet.

Të thuash “s’ka zgjidhje pa Berishën” do të thotë të injorosh faktin që ai si drejtues fushate në zgjedhjet e fundit, ka marrë rreth çerek milioni vota më pak se Basha në zgjedhjet e vitit 2021. Pra dy vjet më parë.

Berisha ka qenë dhe mbetet (bashkë me Lulin) epiqendra jo vetëm e humbjeve politike të tejzgjatura për PD, por edhe një derë e rëndë e mbyllur që pengon të futet në atë parti ajri i freskët i ndryshimit.

Nëse ka një hipotekë me peshë ari sot në favor të Edi Ramës, kjo është prezenca e Berishës në politikën aktive. Hiq Berishën nga skena aktuale politike dhe maxhoranca socialiste mbetet pa alibi elektorale. Ata që rrinë pas lavdisë së pluhurosur të Doktorit dhe kujtojnë se ai do t’i kthejë dikur në pushtet, duhet të bëjnë pikërisht atë vertikalen me kokëposhtë që të dalin tek e vërteta.

Sa më shumë Berisha rri majë kalit të opozitës, aq më gjatë Rama do rrijë majë kalit të pushtetit. Gjysëm milioni votat vlejnë sa një ngrusht mizash, nëse nuk të japin mundësinë të drejtosh vendin. Kaq e thjeshtë është. Shihni krizën ku u zhyt Basha pas pranverës 2021, kur kishte marrë plot 730 mijë vota. Shifrat nuk janë opinion, por në PD e sotme po vijojnë të luajnë edhe me to. Aq më keq për ata që kanë sy e nuk duan të shohin.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Skenderi: 05/10/2023 21:43

    Andej po shuket berishes nga pushteti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës