Banesa e familjes Hoxha pranë Ministrisë së Drejtësisë do të shembet pasi nuk ka dokumentacion të rregullt, ndërsa Drejtoria e Aluiznit nuk ka dhënë certifikatën e legalizimit pikërisht për këtë problem.

Mjetet e IMT së Bashkisë Tiranë duke nisur nga pasditja e kësaj të hëne janë pranë banesës, ndërkohë që familjarët kanë kërcënuar me vetëflijim.

Ata janë ngjitur ne tarracën e banesës dhe shprehen se nëse punonjësit e IMT dhe prokuroria ndërhyjnë ata do të hidhen.

Burime për Report TV nga Bashkia e Tiranës pohojnë se banesa ishte parashikuar të shembej dhe se familjarëve u është  premtuar dëmshpërblim. Prona aktualisht s’ka dokumente. Kati i dytë e banesës ndër të tjera pengon edhe lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse.

Të njëjtat burime sqarojnë se familjarët janë të pakënaqur me dëmshpërblimin ndaj kjo është arsyeja që kundërshtojnë shembjen.

Ndërkohë familjarët pretendojnë se aty po u merret prona me te padrejtë nga një ndërtues pallati. Pranë banesës ka forca të shumta policie, ndërsa mjetet e IMT vijojnë të qëndrojnë aty.

[gallery]25148[/gallery]