Pabarazia sociale shton rrezikun e kancerit

Pabarazia sociale shton rrezikun e kancerit

Punonjës duke parë skanerin e kancerit

Kanceri mund të prekë këdo – por njerëzit me prejardhje të varfër dhe të paarsimuar kanë një rrezik më të lartë të kancerit, sipas një ekipi shkencor gjerman,

Në Gjermani, rreziku nga paraqitja e kancerit po zvogëlohet. Ky është një lajm i mirë. Por një zhvillim tjetër e bën shumë të qartë një mospërputhje të rëndësishme, sepse ulja e rasteve të kancerit është më më e theksuar në rajone më gjendje më të mira sociale sesa në vende të tjera, shkruan ekipi i udhëhequr nga Lina Jansen nga Qendra Gjermane e Kërkimeve tëKancerit (DKFZ) në "International Journal of Cancer".

Në studimin e tyre, shkencëtarët ekzaminuan të dhënat nga 48 milionë banorë në tetë lande të Gjermanisë dhe krahasuan diagnozat e kancerit midis vitit 2007 dhe 2018. Rezultati: pabarazia sociale po ndikon gjithnjë e më shumë në shkallën e rasteve të reja me kancer në Gjermani.

Kanceri dhe pabarazia sociale: trend i qartë

Studiuesit së pari klasifikuan të gjitha rajonet e përfshira në studim në pesë grupe të ndryshme duke përdorur një indeks socio-ekonomik, i cili përfshinte ndër tjerash, të ardhurat, shkallën e punësimit dhe arsimin.

Studiuesit zbuluan se më pak njerëz janë sëmurë nga kanceri në këtë periudhë - në të gjitha pesë grupet e studiara. Por kjo rënie në shkallën e sëmundjeve është shumë më e vogël në rajonet me gjendje më të vështirë sociale, sesa tek ato më të pasura. Shkencëtarët kanë studiuar si sëmundjet nga kanceri në përgjithësi, ashtu edhe kancerin e zorrës së trashë dhe mushkërive - në veçanti tek meshkujt.

Studiuesit zbuluan se pabarazia sociale është rritur gjatë periudhës së vëzhgimit. Ndërsa në vitin 2007 burrat në rajonet më të pafavorizuara socio-ekonomikisht kishin një normë shtatë përqind më të lartë të rrezikut nga kanceri sesa burrat në rajonet më të pasura, kjo shifër u rrit në 23 për qind në vitin 2018. Ndërsa tek gratë diferenca është rritur nga shtatë për qind në vitin 2007, në 20 për qind në vitin 2018. Që do të thotë se është rritur dukshëm dallimi i të sëmurëve me kancer tek popullata më e varfër - si tek burrat ashtu edhe tek femrat.

Cilët faktorë shkaktojnë pabarazi sociale?

Për të luftuar këtë pabarazi, së pari është e rëndësishme të dihet se çfarë i karakterizon rajonet më të dobëta socio-ekonomikisht. Kujdesi mjekësor dhe infrastruktura mjekësore kanë mbetur relativisht të njëjta. Por faktorët individualë si papunësia, përqindja e njerëzve me mirëqenie apo me probleme sociale, si dhe shkalla e braktisjes së shkollës janë rritur dukshëm, varësisht nga rajoni dhe gjendja sociale e vendeve të studiuara. "Faktorët socialë duket se luajnë një rol shumë më të madh në këto të dhëna sesa infrastruktura e përgjithshme”, thekson Lina Jansen nga Regjistri Epidemiologjik i Kancerit i DKFZ në Baden-Württemberg.

Sipas studiuesve, në shtimin e numrit të personave të sëmurë nga kanceri ndikon edhe stili i jetesës. Ndër të tjera ndikojnë edhe gjendja socio-ekonomike, përdorimi i duhanit, mungesa e stërvitjeve dhe praktimit të sportit, mbipesha dhe disa faktorë të tjerë.

Kanceri shpesh i parandalueshëm

"Ndërmjet 30 dhe 50 për qind e kancereve mund të shmangen përmes një stili jetese të shëndetshëm, siç është moskonsumimi i duhanit dhe masat për ruajtjen e shëndetit publik, si për shembull vaksinimi kundër infeksioneve që shkaktojnë kancer”, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Parandalimi është strategjia afatgjatë me kostot më ulëta për të luftuar kancerin.

Përveç duhanit, OBSH rendit ndër rreziqet më të mëdha për paraqitjen e konacerit edhe konsumin e alkoolit, ushqimin jo të shëndetshëm, mungesën e stërvitjes dhe sportit, si dhe ndotjen e ajrit.

Lina Jansen nga DKFZ thekson rëndësinë dhe mundësitë e parandalimit të kancerit: "Rezultatet tona tregojnë se në të ardhmen duhet të bëjmë përpjekje të veçanta në mënyrë që të gjithë njerëzit të përfitojnë njësoj nga rekomandimet për mënyrën më të shëndetshme të jetesës si dhe për ekzaminimet dhe zbulimin e hershëm të kancerit - pavarësisht gjendjes së tyre sociale apo ekonomike”./DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje