Gjatë foltores së mbajtur në zonën e Porcelanit në Tiranë, Sali Berisha dhe shoqëruesi e tij treguan qartazi se përfitimi i mbështetjes nga qytetarët do të jetë vetëm në dobi të ruajtjes së karrigeve të tyre.
Një qytetare mori fjalën duke treguar me zërin e ngjirur se është paciente që i nënshtrohet dializës në spitalin Amerikan. Qytetarja përshkruan me detaje gjendjen e mjerueshme ku procedura mjekësore kryhet në të ftohtë, në bodrum dhe me pajisje të vjetëruara. Çdo suplement duhet ta sigurojnë vetë dhe shprehet se çdo ditë e shoqëron frika për jetën.
Pasi shprehu qartazi shqetësimin e saj, qytetarja nuk mori asnjë përgjigje apo reagim, por vetëm një falënderim të mekur nga Berisha dhe anashkalim nga zëdhënësja e tij, Floriana Garo.
Krah Berishës gjendej edhe Ilir Alimehmeti, për të cilin qytetarja theksoi se e ka shprehur problemin e dializave, por as ai nuk reagoi duke ndjekur shembullin e doktorit.
Qytetarja: E ngritëm me të madhe edhe në parlament, edhe dr. Iliri, për punën e dializave. Unë jam një nga ato paciente që gjoja ne jemi te Spitali Amerikan që vetëm Spital Amerikan nuk i thuhet atje në privat, jemi -2 në bodrum. Të vish atje, jo i vdekur, por një i ftohtë... shih si jam bërë. Ato makineritë që kemi ne mund të jenë mbi 20 vjet. Aty as makineri, asgjë nuk po na ndërrohen. Ne po marrim infeksion gjaku e po vdesim nga vjetërsia e makinerive. Vitamina e këto nuk kemi fare, vetëm bëjmë atë dializën dhe ikim të gjitha vitaminat i blejmë vetë. U bë një kontroll, por që të bëhet kontroll tamam nuk është bërë. Që të vish atje, duhet një kontroll rrënjësisht. Tani kemi dëgjuar nëpër ajër sikur do të bëhet në kat të 7, po sa të bëhet në kat të 7, unë kam vdekur për 5 vjet. Duhet të ngrihet edhe njëherë në parlament dhe të bëhet një kontroll jashtëzakonisht atje vetëm për ne të sëmurët se çdo ditë një i sëmurë o do të vdesë, o do të jetë në reanimacion që është në gjendje kome, nuk e di. Vetëm të vijë një kontroll rutinë që mos ta marrin vesh se nga vjen. Kemi frikë tani, themi oh shyqyr u ngritëm edhe sot, edhe nesër, u shyqyr shpëtuam edhe sot. Unë i kam bërë edhe jashtë, në Itali dhe kjo është që po ikim të gjithë, jo vetëm fëmijët, por po ikim edhe ne se përpara jetës unë nuk do të vë...kjo duhet parë meqenëse e ngriti edhe doktori që spitali pa drita, pa ilaçe, kështu janë të gjitha spitalet.
Sali Berisha: Shumë faleminderit për ndërhyrjen.
Floriana Garo: Mbrapa.
Rasti i zonjës ishte i vetmi që mbeti pa përgjigje krahasuar me parafolësit apo të pranishëm të tjerë që morën fjalën pas saj, për të cilët Berisha u kujdes të përsëriste retorikën e tij, por ‘lidhi’ gjuhën përpara një shqetësimi real.
Koncesioni i dializës përveçse në Tiranë ofrohet edhe pranë spitaleve rajonale Shkodër, Lezhë, Elbasan, Vlorë, Korçë. Prej datës 16 shkurt 2016 i është dhënë si koncesion kompanisë “Dia Vita” sh.p.k në pronësi të Klodian Allajbeut. Afati 10-vjeçar i kësaj kontrate përfundon në shkurt të këtij viti dhe ndryshe nga koncesioni i sterilizimit që do të shtetëzohet, për këtë ende nuk ka një vendim nga qeveria.
Komente










