Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është shpallur fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, gjatë ceremonisë të nënshkrimit të marrëveshjes tha se kjo është një investim që ai e ka dashur prej kohësh.
Pacolli nënvizon se Vlora është një qytet historik dhe si e tillë, realizimi kësaj vepre atë e mbush me krenari.
“Kam nderin sot të jem pjesë direkte e kësaj vepre madhështore, si pjesë e kësaj ceremonie që planifikon, investon, ndërton dhe operon për 35 vite. Kjo kontratë ka rëndësinë e vet, sepse ndodh pas shumë kohësh dhe mori dëshirash. Unë kam pasur dëshirë që një investim i tillë të ndodhë në trojet tona. Tani që të kem këtë kontratë për këtë qytet historik, si është Vlora.
Unë do të thoja që është një rast jashtëzakonisht i mirë, për kompaninë dhe partnerët e mi që jemi në këtë projekt. Falenderoj Edi Ramën, që me kujdes ka përcjellë punët që kompania ime ka implementuar gjatë një vizite ku kompania ime punon. Nuk është e rastit që kjo punë kaq e rëndësishme t’i besohet kompanisë time. Kjo do të ndodhë dhe të gjithë do të jemi krenar për këtë investim.
Do të jem krenar unë, që kjo gjë të ndodhë në vendin që dua dhe jam krenar që e bëj për kombin tim, popullin tim. Jam krenar që e bëj për njerëzit që kanë kontribuuar shumë për Shqipërinë Evropiane, do t’ia dalim dhe nuk mbetet gjë tjetër, vetëm të fillojmë punën dhe të shkurtojmë afatet ligjore sa më tepër, sepse koha për ndërtimin e veprave të tyre është kryesorja. Shkurtimi i kohës krijon më pak harxhime”, u shpreh Pacolli.
Lajmi kryesor: