TIRANË- Ndërsa mori në mbrojtje protestuesit e dhunshëm që sulmuan efektivët dhe institucionet në ditët e Pavarësisë, nga selia blu Berisha bëri edhe një denoncim. Ai pretendon se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar një sulm me gaz lotsjellës e ujë në drejtim të selisë së Partisë demokratike, ndërsa pamjet i ka ndarë në një video në rrjetet sociale.
“Sot, në një akt hakmarrjeje të verbër e primitive politike, Padrino apo Edvin Kristaq Xhelati urdhëroi Demon e tij të sulmohet me gaz dhe pompa uji selia e Partisë Demokratike, si seli e një partie armike politike. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt kriminal të Edvin Kristaq Xhelatit dhe Demo kriminelit të tij, Partia Demokratike deklaron se ajo, sikundër deri sot, do të mbështesë me të gjitha mjetet protestën qytetare rinore gjer në përmbysjen e këtij regjimi armiqësor të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e PD.
Berisha kërcënoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke i thënë se do t’i kundërpërgjigjen me sulm ndaj selisë së PS.
"Në emër të Partisë Demokratike dënoj me forcën më të madhe sulmin stalinist kundër selisë së Partisë Demokratike. Edvin Kristaq Xhelati, armiku i egër i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike, dërgoi narkobanditët e tij me të gjithë arsenalet dhe gjuajtën selinë e Partisë Demokratike, territorin e saj me topa uji, me bomba gazi, me spraj, në një kohë kur në mënyrë absolute nuk kishte asnjë motiv të vetëm përveç urrejtjes së tij ndaj kundërshtarit politik.
Unë paralajmëroj Edi Ramën: hiq dorë nga sulmet ndaj selisë së Partisë Demokratike se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare me sulme ndaj selisë sate.
Sikundër theksoj se kjo seli ka qenë, është dhe do mbetet strehë mikpritëse për çdo protestuese e protestues të të gjitha bindjeve, sepse protestat janë një e drejtë kushtetuese, janë një e drejtë e patjetërsueshme dhe çdo kufizim, dhunë, terror ndaj protestuesve janë akte antikushtetuese.
Ndaj dhe këtë ta dijë mirë, ne do të mbrojmë, do t’i japim strehim çdo protestuesi që ka nevojë për mbrojtje dhe për strehim nga sulmet e egra të narkoregjimit të Edi Ramës", deklaroi Berisha.
Lajm në përditësim...







Komente
Komento