Gjykatësja e Floridës, Enjolique Lett, ka vendosur që presidenti amerikan Donald Trump duhet t'u dorëzojë avokatëve të BBC-së dokumentet e tij financiare në kuadër të padisë për shpifje me vlerë 10 miliardë dollarë që ka ngritur ndaj transmetuesit britanik.

Avokatët e Trump e kundërshtuan vendimin, duke e cilësuar atë "të parakohshëm, të papërshtatshëm dhe veçanërisht të ashpër".

Padia është ngritur në një gjykatë të Floridës dhe lidhet me një dokumentar të emisionit "Panorama", të transmetuar në vitin 2024, që trajtonte trazirat në Kapitolin e SHBA-së. Trump pretendon se një dokumentar i BBC-së i shkaktoi dëme financiare dhe në reputacion, ndërsa rrjeti britanik kërkon të verifikojë këto pretendime.

BBC kërkoi dokumentet financiare të "Donald J. Trump Revocable Trust", fondi që mban interesat dhe asetet e biznesit të presidentit dhe administrohet nga djali i tij i madh. Gjykatësja Lett pranoi kërkesën për qasje në dokumentet e këtij fondi.

Përfaqësuesit ligjorë të Trump e cilësuan kërkesën e BBC-së si një "ekspeditë peshkimi", ndërsa avokatët e transmetuesit argumentuan se dokumentet janë të nevojshme për të vlerësuar ndikimin financiar që, sipas Trump, ka pasur dokumentari.

Sipas dokumenteve të gjykatës, kërkesa është bërë pasi Trump pretendon se interesat e tij financiare janë dëmtuar nga veprimet e BBC-së dhe se ai është përfituesi i vetëm i fondit që zotëron ose lidhet me afro 400 subjekte.

BBC po kërkon gjithashtu rrëzimin e padisë, duke argumentuar se ajo mund të ketë një efekt frenues mbi raportimin për figurat publike dhe ngjarjet. Transmetuesi britanik ka kundërshtuar edhe juridiksionin e gjykatës në Florida, me argumentin se dokumentari nuk është transmetuar në atë shtet dhe as në SHBA.