TIRANE - Gjykata e Tiranës shpall të pafajshëm Qemal Mullën, përfaqësues ligjor i familjes Toptani, i akuzuar për falsifikime për përvetësim pronash në dëm të familjes së gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi.

Porokuroria në pretencën e saj kërkoi një vit burg, ndërsa mësohet se ka apeluar vendimin e pafajësisë së Shkallës së Parë. 

Hetimi nisi pas një kallëzimi ne Prokurori në janar të vitit të kaluar nga Ravik Mima. Ai ka paditur Mullën se në bashkëpunim me nëpunës të Arkivit Qendror të Shtetit, ka falsifikuar duke bërë pjesë të fondeve arkivore dokumente pronësie jo reale, të cilat më pas janë servirur si të rregullta nga ky institucion.

Në kallëzim thuhej se familja e tij, trashëgimtare e ish-pronarit Miltjadh Shallvari, pjesë e trashëgimnisë së të cilit ishte edhe gjyqtari Konomi, ishte vënë në dijeni të dokumenteve false gjatë një konflikti pronësie me familjen e Azmi Toptanit, për disa toka të ndodhura në fshatin Hamallaj ne Durrës. Ishin pikërisht pasardhësit e Toptanit që i kishin depozituar këto dokumente në Agjencinë e Kthimit të Pronave ne Tiranë me qëllim përvetësimin e pronave.

Gjyqtari Konomi, u ekzekutua me bombë me celular në makinë në Vlorë, shtatorin e vitit 2013 ndërsa policia nuk ka mundur të zbulojë motivin dhe autorët e ngjarjes. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)