Pafajësia e ish guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani alarmon Bashkimin Europian. Burime të rezervuara nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë Report Tv se pak ditë më parë një grup eskpertësh të BE-së i kanë depozituar kreyprokurorit Llalla kërkesën për të tërhequr një kopje të të gjithë praktikës gjyqësore në ngarkim të Fullanit.

Një muaj më parë Guvernatori Fullani do të certifikonte në Gjykatën e Apelit pafajësinë e marrë në shkallë të parë, ku me një vendim të gjyqtarëve Shkëlqim Mustafa, Genti Shala dhe Lefter Jahaj rrëzoi kërkesën e prokurorisë për ta rikthyer atë në burg. Adrian Fullani u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre në lidhje me tenderin 30 milion euro të blerjes së hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë dhe vjedhjen e thesarit.

Në hetimet e saj prokuroria arrite të faktojë se me veprimet e mos veprimet e tij në emërimin e zv.Guvernatorit të dytë të bankës, Fullani kish ndikuar në vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari në Linzë. Për këtë vjedhje drejtësia dënoi Ardian Bitrajn e Mimoza Bruzian dy ish vartës të Fullanit, ndërsa për kthimin e lekëve e njëjta gjykatë ka vendosur pushimin e çështjes me një afat të papërcaktuar.

Vetë Fullani e mohoi akuzën duke pretenduar pafajësi, pafajësi të cilën arriti ta marrë në 2015 me një proces gjyqësorë tejet të shpejtë nga shkalla e parë në Gjykatën e Apelit. I njëjti burim sqaroi se tashmë një kopje voluminoze e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë dhe shpërdorimit të detyrës në ngarkim të ish guvernatorit është bërë gati dhe javën e ardhshme do t'i dorëzohet ekspertëve të BE-së.

Këta ekspertë ndodhen në Shqipëri në kuadër të monitorimit të përmbushjes së kritereve të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE, ku pjesë e kritereve janë dhe hallkat e drejtësisë mes tyre vendime gjyqësore apo hetime të organit të akuzës.

Pafajësia e marrë në 12 tetor në shkallë të parë nga gjyqtari Artan Gjermeni dhe të certifikuar në Apel më 23 Dhjetor 2015 për ish guvernatorin aktualisht ka përfunduar në Gjykatën e Lartë me rekurs të Prokurorisë.

Një tjetër dosje për të cilën ekspertët e BE-së kanë shfaqur interes është dhe ajo e gjyqtarit të Kavajës Osman Aliu i akuzuar për fshehje pasurie e mos deklarim të ardhurash, gjykim ky i pushuar nga gjyqtari Bedri Qori në Gjykatën e Tiranës.

Në përfundim të analizimit të këtyre praktikave gjyqësore grupi i ekspertëve do të rivij në Tiranë në mes të muajit shkurt ku sipas burimeve të ReportTv është planifikuar dhe një komunikim me mediat për rezultatet e luftës ndaj korrupsionit dhe fshehjes së pasurive për zyrtarët e lartë.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)