Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Kuvend se përcaktimi i pagave të magjistratëve është kompetencë e ligjvënësit dhe se askush nuk mund t'ia caktojë vetes. Ai pranoi se afati i 31 korrikut për ndryshimet ligjore ka kaluar.

Sipas Gogut, formula e propozuar rrit koeficientin e pagës dhe ruan mekanizmin e indeksimit. Ai theksoi se Kuvendi duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë, duke mbajtur njëkohësisht përgjegjësi për përdorimin e parave të qytetarëve.

“Sot Kuvendi i Shqipërisë ka dy detyra, nuk ka një, ka dy detyra. Nga njëra anë duhet të mbrojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, gjyqësorit, dhe nga ana tjetër duhet të mbrojë çdo qindarkë të qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë për atë drejtësi. Afatin e 31 korrikut e kemi thënë në komision që ka kaluar. Prandaj kjo shumicë ka ardhur sot të mbushë atë boshllëk që ka krijuar kalimi i atij afati. Nuk ka ardhur ta komentojë, nuk ka ardhur ta anatemojë, nuk ka ardhur ta mallkojë, ka ardhur ta mbushë atë boshllëk. Dhe sot ka një ligj përpara këtij Kuvendi, të paraprirë dhe të udhëhequr nga një pyetje, nga pyetja e duhur: Kush vendos për pagat e gjyqtarëve? Dhe nuk e ka shpikur pyetjen. E ka marrë tamam nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili zbërthen parimin kushtetues dhe shkruan: detyrimi i Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme. Jo i qeverisë, jo i këshillave, jo i ministrit të Drejtësisë, detyrimi i këtij Kuvendi.

“Paga e gjyqtarit kalon vetëm nga një derë. Paga e magjistratit kalon vetëm nga një derë. Paga e doktorit kalon vetëm nga një derë. Paga e infermierit kalon vetëm nga një derë. Paga e zjarrfikësit kalon vetëm nga një derë. Dhe ajo derë është ligji. Ligji. Ky është parimi që ka ndjekur kjo shumicë sot me atë projekt që ka ardhur dhe rregulli bazë që ka ndërtuar gjithë arkitekturën e pagave në këtë republikë është: askush nuk duhet të ketë diskrecionin t’ia caktojë vetes pagën e vet. Sepse kur dikush i cakton vetes pagën e vet, nuk është më një rregull i përgjithshëm, por është një përjashtim. Buxheti i shtetit nuk është ai dollapi me shumë sirtarë ku secili pushtet apo secili institucion ka sirtarin e vet. Ka vetëm një arkë dhe ajo arkë është e qytetarit shqiptar. Nuk është arka as e ministrave, as e qeverisë, as e gjyqtarëve apo e doktorëve. Është arka e qytetarëve shqiptarë, që e ruan ky Kuvend dhe e ruani ju, të nderuar kolegë", tha Gogu.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Diskutime për pagat e magjistratëve! PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puç kushtetues, votojmë kundër! Rama në seancë