Kryeministri Edi Rama foli në kuvend për pagat e magjistratëve. Rama tha se është e pabesueshme që përfaqësues të një pushteti të pavarur heqin dorë nga kompetencat e tyre për shkak të përplasjes me një pushtet tjetër. Rama tha se Gjykata Kushtetuese ka kompetencën të konstatojë shkeljet e Kushtetutës, por jo t’i përcaktojë Kuvendit formulën që duhet të miratojë.

“Është e pabesueshme se si përfaqësues të një pushteti të pavarur, thjesht dhe vetëm për inat të palës tjetër, dorëzojnë me këtë kollajllëk pushtetin e tyre te një pushtet tjetër. Dhe kjo nuk ka lidhje thjesht dhe vetëm me atë çfarë flasim sot për pagat e gjyqtarëve. Kjo ka lidhje me ekuilibrin e pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare. Dua të kthehem te një debat që kemi pasur këtu, lidhur me një kolege, Olta Xhaçkën, për rastin e së cilës kam sjellë me vete disa fjalë të Komisionit të Venecias, se besoj që janë shumë të sakta për të udhëhequr arsyen tonë si përfaqësues të një pushteti të pavarur, të gjithë së bashku.

Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, si një organ gjyqësor dhe jo politik, nuk duhet të ndërhyjë në sferën e ligjvënësit kushtetues, i cili ka kompetencën ekskluzive për të krijuar norma të reja kushtetuese. Kufiri ndërmjet interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar, por duhet shmangur perceptimi i një gouvernement des juges, pra i një qeverisjeje të gjyqtarëve. Kompetenca për të krijuar norma të reja kushtetuese i përket pushtetit ligjvënës, ndërsa Gjykatës Kushtetuese i përket kompetenca për të interpretuar në mënyrë autoritative normat. Me fjalë shumë të thjeshta, Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’.

Gjykata Kushtetuese, si një pushtet tjetër i pavarur, është e pavarur prej nesh këtu si pushtet ligjvënës dhe është e pavarur prej nesh si pushtet ekzekutiv, për të na treguar se kur e ngremë dorën gabim. Por, nëse ne ngremë dorën gabim dhe Gjykata Kushtetuese na thotë: ‘Me këtë ngritje dore u shkel kjo normë, prandaj kjo normë rrëzohet’, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i thotë kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, një pushteti të pavarur si ai i Kuvendit se si duhet ta ngrejë dorën. Kjo nuk ndodh. ‘Dhe tani ngrije dorën për tekstin që ta kam shkruar unë, për formulën që kam zgjedhur unë dhe për shumën që kam vendosur unë’, Gjykata Kushtetuese nuk ia thotë dot Kuvendit të Shqipërisë.

Dhe këtu ka deputetë që kanë shumë vite në këtë Kuvend. Sot ka një veçori, sepse sot këtu në sallë janë 84 vota që janë të nevojshme për të miratuar këtë normë. Por, nëse nuk do të jeni hipokritë, do të duhet ta pranoni që, nëse nuk do të ishin këto 84 vota, do të ishte tërësisht e pamundur që të arrihej në një rezultat bazuar mbi një urdhër specifik të një pushteti tjetër. Gjykata Kushtetuese mund ta shfuqizojë një taksë që diskriminon në mënyrë antikushtetuese një kategori qytetarësh. Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendosë ama normën e taksës, se sa duhet të jetë.

Mund të rrëzojë një dispozitë pensioni që cenon barazinë apo sigurinë juridike, por kurrë nuk mund të hartojë vetë skemën e pensioneve dhe të përcaktojë se sa lekë do të marrë ky pensionist apo ky pensionist tjetër. Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizojë një dispozitë penale të paqartë, por nuk mund të shkruajë vetë veprën e re penale dhe masën e dënimit. Këto janë zgjedhje që kërkojnë ligj, debat publik, vlerësim financiar dhe votë parlamentare. Dhe rasti që solla e bën Venecian të na kujtojë se deputeti është i paurdhërueshëm individualisht dhe Kuvendi mund të votojë dhe duhet të votojë çështjet që ndodhen brenda kompetencës së tij. Tani të vijmë te pagat e magjistratëve, se këtu çfarë nuk dëgjova! Pikësëpari, a kishte të drejtë Gjykata Kushtetuese të kontrollonte formulën e miratuar nga Kuvendi? Absolutisht po. Të konstatonte një papajtueshmëri të caktuar, sipas saj? Patjetër po. Të shfuqizonte dispozitat përkatëse dhe të kërkonte miratimin e ndryshimeve? Askush nuk e diskuton. Por, nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk u thotë dot ligjvënësve se si duhet të jetë zgjidhja, sipas asaj norme brenda së cilës ata duhet të lëvizin.", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Me 84 vota pro, miratohet pr.ligji i PS për pagat e magjistratëve! Rama paralajmëron ligj të ri: Duhet të balancojmë piramidën e pagave, jemi në konsultime me Këshillin e Europës