TIRANË-Posta Shqiptare, njoftoi të hënën se, në mbështetje të nismës së qeverisë shqiptare dhe OSSHE për të mbledhur detyrimet e qytetarëve për arkëtimet e energjisë elektrike, do të zgjasë oraret e shërbimit në zyrat postare në të gjithë vendin.
Posta Shqiptare u vjen në ndihmë qytetarëve, që në këtë mënyrë të eleminojnë rradhët e gjata dhe brenda një kohe të shkurtër të paguajnë faturat e energjisë.
Posta Shqiptare tashme prej vitesh mundëson ofrimin e shërbimit të arkëtimit të faturave të energjisë elektrike në zyrat e saj. Çdo qytetar që kryen arkëtimin e detyrimit të konsumit të energjisë elektrike, kalon online në sistemin e OSSHE dhe automatikisht nuk figuron më debitor.
Shërbimi i pagesës për energjinë elektrike vlerësohet si një prej shërbimeve me kërkesën më të larte prej qytetarëve dhe Posta Shqiptare ka manaxhuar me sukses këtë shërbim që prej lancimit të tij në vitin 2006.
Posta Shqiptare si kompani lider në fushën e shërbimeve, ka për synim zhvillimin dhe zgjerimin e gamës së produkteve që ofron, për t'ju përgjigjur në kohë nevojave të konsumatorit në bashkëpunim dhe partneritet edhe me institucione shtetërore apo kompani private.
Posta Shqiptare qëndron e angazhuar në përmbushjen e objektivave të saj për ofrimin e një shërbimi sa më korrekt, të shpejtë dhe të sigurtë për qytetarët shqiptarë. /ATSH/