Hetimet e nisura nga prokuroria e Tiranës për pajisjen e përgjimit IMSI Catcher kanë zbuluar detaje të reja mbi përdorimin në territorin shqiptar përveç trajnimit.
 
Pas sekuestrimit të protokollit të hyrje-daljeve të burgjeve në Fushë Krujë dhe në Tiranë te 302 ku është shënuar emri i Entiol Xhelilaj, burime nga grupi hetimor në prokurori bëjnë me dije se janë marrë në pyetje stafet e dy burgjeve.
 
Stafet e burgjeve kanë pranuar se efektiv i Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj së bashku me dy persona të tjerë kanë kërkuar që gjatë orëve të vona të natës të futeshin në ambientet e burgjeve së bashku me makinën që mbante pajisjen e përgjimit, IMSI Catcher.
 
Punonjësit deklarojnë se kanë pasur debate me efektivin e Forcës Operacionale, pasi nuk ka pasur urdhër për hyrjen, por sipas tyre janë lejuar pas telefonatave që kanë zhvilluar me eprorët, ndërsa në protokollin e hyrje-daljeve është shënuar që qëllimi i hyrjes ka qenë matja e cilësisë së ajrit.



Redaksia Shqiptarja.com