Veç librave të hyrje-daljeve, prokuroria e Tiranës ka kërkuar dhe pamjet filmike të këtyre burgjeve me qëllim verifikimin e plotë të hyrjes së makinës ku mbahej aparatura në ambjentet e brendshme të burgut. Në tre rastet, rezulton se veprimi hetimor është kryer pas mesnatës së datave të ndryshme gjatë vitit 2015. Në librat e regjistrave që janë sekuestruara, thonë burimet e prokurorisë janë evidentuar targat e makinës ku ndodhej e instaluar pajisja e përgjimit si dhe emrat e personave që kanë hyrë në burg, nën drejtimin e Entiol Xhelilajt me detyrë përgjegjës i IT-së në qëndrën e Forcave të Posaçme Operacionale. Oficerët kanë mashtruar duke dhënë se makina dhe aparatura shërben për monitorimin e ajrit. Ndërkohë urdhërin për futjen e saj e ka dhënë në telefon vetë drejtori i burgjeve Artur Zoto.
Asnjë urdhër për përgjime
Burimet thonë se në regjistra, është shënuar nga oficeri i rojës, se urdhëri për lejimin e hyrjes së makinës së përgjimit që drejtohej nga Xhelilaj është dhënë me telefon nga Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve. Prokruorët nuk kanë gjetur dhe sekuestruar në arkivën e burgjeve ndonjë vendim prokurori që kërkonte lejimin e pajisjes së përgjimit të kryente veprime hetimore brenda burgut. Për këtë fakt, hetuesit pritet të marrin në pyetje personelin e burgut për të mësuar ndonjë detaj më shumë se kush ka qenë subjekt i hetimit nga agjentët e përgjimit.Sipas prokurorisë, për llogari të këtij hetimi janë verifikuar edhe target e mjetit me të cilën agjentët kanë hyrë në burgje dhe kanë rezultuar se kanë qenë tagra fiktive, të falsifikuara.
Fshehja e pajisjes
OPGJ të Prokurorisë Tiranë kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit në datën 13 maj 2016 midis orës 11:45 dhe 12:00. Në këto ambiente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe OPGJ-të kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12:00, nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e FPO-së, automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga këto ambiente nën drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi OPGJ-të ishin paraqitur në DP të Policisë me vendimin për sekuestrimin e kësaj pajisjeje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12 maj 2016 dhe pas kësaj date, është e qartë se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të FPO-së dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com