Pak orë para publikimit të listës me futbollistët e grumbulluar, për ndeshjen historike në ‘play-off’ të Botërorit, trajneri Sylvinho dhe kombëtarja shqiptare ka marrë një tjetër lajm jo të mirë. Mesfushori Kristjan Asllani ka vënë në alarm stafin kuqezi, pasi ka lënë lojën i dëmtuar në minutën e 71 në ndeshjen që Besiktas fitoi në kampionatin turk kundër Kasimpasa-s.

23-vjeçari do të zëvendësohej për pak çaste, por para se të linte fushën e lojës, mori një goditje që e detyroj të largohej nga fusha. Ende nuk dihet se sa serioz është dëmtimi, por shqetësimi i shtohet mungesave të sigurta të sulmuesve Rey Manaj dhe Mirlind Daku si dhe të mesfushorit Medon Berisha.

Enigmë është situata e Marash Kumbullës në Spanjë, pasi mbrojtësi mungon prej disa ndeshjesh te Mallorca. Deri më tani shkak ishte dëmtimi, por së fundmi mediat në Spanjë kanë aluduar një dyshim të ri. Kumbulla nuk është tipi i lojtarit i cili pëlqehet nga trajneri Demikelis dhe mund të jetë lënë jashtë për këtë arsye. Argjentinasi preferon mbrojtës më agresiv dhe që dinë të organizojnë me topin. Aftësi që Kumbulla nuk i ka pika të forta.

Të shtunën në orën 10:00 Sylvinho do të bëjë publike listën e shumë përfolur ku pritet të ketë të paktën 2 risi. Burime bëjnë me dije se pjesë e kuqezinjve për herë të parë do jenë mbrojtësi i majtë Bujar Pllana, i cili luan në Gdansk të Polonisë si dhe Stavros Pilios pjesë e AEK-ut të Athinës. Zyrtarisht grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën e 23 marsit, por disa prej futbollistëve pritet të jenë në ‘Shtëpinë e Futbollit’ edhe më herët.

Më 26 mars në orën 20:45 Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë ‘play-off’ të Botërorit në Varshavë kundër Polonisë, ndërsa shpresohet të mos jetë e fundit. Nëse kualifikohen kuqezinjtë me 31 mars luajnë në transfertë me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, për të përcaktuar përfundimisht skuadrën që shkon në Botërorin e verës në Amerikë, Kanada dhe Meksikë.