Në përfundim të mbledhjës së Qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dha një përgjigje për kompanitë e hidrokarbureve në vend, të cilat janë të pakënaqura me formulën që përdoret për caktimin e çmimit të naftës nga Bordi i Transparencës

Ibrahimaj tha se zhvillohet një analizë ekonomike për të vendosur nëse formula aktuale e përcaktimit të çmimeve të karburanteve duhet të ndryshohet.

“Në momente të caktuara, me qëllim që të mbrojmë interesin publik, ne kemi ndërmarrë masa, si ngritja e Bordit të Transparencës.

Jemi të vetëdijshëm që marzhet e përcaktuara dhe formula e përcaktuar në aktin i cili parashikon ngritjen e Bordit, është një formulë shumë restriktive, që do të thotë që në kohën që ne kemi dizenjuar atë formulë, kemi bërë një analizë të kostove të kompanive dhe kemi marrë parasysh që marzhet mbi çmimet e faturimit të jenë mjaftueshëm për të lejuar që kompanitë të vazhdojnë të operojnë, por të vazhdojnë të operojnë pa një fitim.

Ne kemi marrë kërkesën e hidrokarbureve dhe po bëjmë analizën tonë për një vendimmarrje të mëtejshme, nëse analiza ekonomike na tregon nëse duhet ndryshuar apo jo formula. Është një vendimmarrje që do një analizë të thelluar, çështja e çmimit të karburanteve është një çështje shumë delikate që prek konsumatorë të gjerë, por edhe biznese. Jemi duke treguar kujdes për të bërë një analizë të thelluar, padiskutim do të dalim në një konkluzion”, tha Ibrahimaj.

Kompanitë e importit të karburanteve kërkuan kompensim për humbjet që pretendojnë se janë shkaktuar nga llogaritja nën kosto e çmimeve të karburanteve. Operatorët kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës nëse qeveria nuk rishikon formulën e përdorur nga Bordi i Transparencës për përcaktimin e çmimeve.

Po ashtu, në Këshillin e Ministrave u vendos sot që nga 1 korriku do të nisë zbatimi i programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një instrument i ri mbështetës për bizneset. Sipas Ibrahimajt, programi parashikon një fond prej 250 milionë eurosh, me qëllim rritjen e aksesit në financim dhe forcimin e sipërmarrjes.

Gjithashtu, skema përfshin një garanci sovrane në vlerën e 30 milionë euro, e cila synon të ulë riskun dhe të mundësojë kredi me norma interesi të favorshme nga 2 deri 3%.