TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish në Twitter për paketën Anti-shpifje, të propozuar dhe lançuar prej tij që pak ditë më parë. Rama shkruan se të gjithë duhet të imagjinojnë, qoftë edhe për një moment, sikur shpifja dhe gënjeshtra të ishte e lejuar për fëmijët dhe tju mësohej atyre si një mjet i nevojshëm. Rama thotë se shpifja, gënjeshtra, hiletë dhe sharjet po iu mësohen shqiptarëve dhe politika dhe media.
Imagjinoni për një moment sikur fëmijëve t'u mësonim se shpifjet, sharjet, hiletë e gënjeshtrat, janë mjete jo vetëm të lejueshme, po edhe të nevojshme për të mundur një kundërshtar! Sot këto mjete po u tregtohen përditë shqiptarëve nga humbësit politikë dhe kazanët mediatikë.
Edi Rama, kryeministër
Paketa anti shpifje e inicuar nga kryeministri Rama nis me legalizimin e portaleve. Kryeministri i cilëson si 'fantazma' pa adresë dhe pa emër, portalet e paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Sipas idesë paraprake të Ramës, Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, e cila do të jetë e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.
Përpara se të sjellë në Kuvend ndryshimet ligjore për paketën Anti-Shpifje, Edi Rama e ka nisur punën me njerëzit e tij, ku në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë u prezantua nisma: “ÇDO SHPIFJE NË FONDIN E EDUKIMIT”.