Bashkia Tropojë po shkon drejt përfundimit të fazës së parë të aplikimeve për “Paketën e Maleve”, një nismë që synon zhvillimin e zonave turistike malore dhe nxitjen e investimeve në verilindje të vendit. Kryetari i Bashkisë, Rexhe Byberi, u shpreh se interesi ka qenë mjaft i lartë, me mbi 500 aplikime të dorëzuara deri tani, ku pjesa më e madhe e aplikantëve janë emigrantë që kërkojnë të investojnë në vendlindje.

Sipas Byberit, pas mbylljes së kësaj faze pritet të nisë shumë shpejt procesi i përzgjedhjes së projekteve fituese. Ai theksoi se interesimi më i madh është për investime turistike në zonat e Alpeve Shqiptare, Bjeshkët e Nikaj-Mërturit dhe Dobërdolit, territore që vitet e fundit kanë tërhequr gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj falë natyrës së veçantë dhe potencialit të madh për turizëm malor.

Kryebashkiaku Byberi e konsideron “Paketën e Maleve” si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Tropojës, duke ndikuar jo vetëm në rritjen e turizmit, por edhe në rikthimin e emigrantëve përmes investimeve në zonat rurale dhe malore.

Sipas tij, kjo nismë do të shërbejë si mbështetje kryesore për ta kthyer Tropojën në një destinacion turistik të aksesueshëm dhe konkurrues, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë vendore dhe atë kombëtare.