TIRANE- Opozita akuzoi të premten qeverinë se ka hartuar në paketë klienteliste që favorizon një grup fare të vogël pranë saj. Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima, duke folur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së për Ekonominë nga selia e Partisë Demokratike tha se paketa prezanton favore e përjashtime klienteliste në drejtim të një grupi fare të vogël miqsh afër qeverisë.
"Nëse do të duhej ta përkufizonim fare shkurt se çështë kjo paketë , do të thoshim që është paketa që rëndon mbi shpatullat e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë paketa që prezanton favore e përjashtime klienteliste në drejtim të një grupi fare të vogël miqsh afër qeverisë", tha Mima.
Opozita e cilësoi si 'paketë e plakur. "Ajo ecën me fanatizëm në gjurmët e paketës famëkeqe të vitit 2014 që çmontoi çdo gjë të mirë të arritur në sistemin fiskal në këto vite demokacie në Shqipëri", theksoi Mima.
Në asnjë prej ligjeve që ndryshojnë ligjet fiskale, tha ai, nuk vihet re përkujdesje për ekonominë e vendit, për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, apo komponentë të ve]antë të tij, eksportin, investimet, konsumin, apo uljen e importit të mallrave të gatshëm çka do të ndikonte pozitivisht në rritjen e GDP-së. "Në vitin 2015-krahasuar me 2014, prodhimi i brendshëm bruto rritet me 80 miliard lekë, nga të cilat 46 miliardë lekë i do qeveria për luksin e shfrenuar të saj. vetëm në formën e taksave të reja do të vinë në buxhet rreth 16 miliard lekë , që do të paguhen nga tatimpaguesit shqiptarë, individ apo korporata", deklaroi ai./ATSH/