PAKISTAN - Populli pakistanez po terrorizohet nga sulmet e avionëve të telekomanduar Drone të CIA-s, të cilët po sulmojnë militantë në veri perëndim të Pakistanit.

Sipas një raporti të SHBA-së, njerëz të cilët ndodhen rastësisht nëpër këto zona kanë mbetur të vdekur apo dhe të plagosur. Sulmet Amerikane me anë të avionëve të telekomanduar Dronë, mendohet të kenë vrarë qindra militantë në Jemen dhe Afganistan, gjithashtu edhe në Pakistan. Sipas Presidentit Barack Obama, në qendër të sulmeve janë militantë të cilët bëjnë pjesë në listën e terroristëve, ndërkohë që raportohet se një nga liderët e Al Kaedës si dhe një taleban janë vrarë gjatë këtyre sulmeve.

Por rastet e civilëve të cilët ndodhen në këto zona është e vështirë që të kontrollohen, pasi studiuesit apo media e pavarur nuk ka akses për të hyrë në këto zona.

Në një nga sulmet më famëkeqe, të moshuar të fiseve të zonës si dhe tregtarë ishin në mesin e 40 personave të cilët u vranë kur dy avionë Drone sulmuan një makinë ku ndodheshin të paktën 4 militantë të Datta Khel, në veri të Ëaristanit në mars të vitit 2011.

Sipas raportimeve të forcave të sigurisë amerikane, këto sulme nuk po udhëhiqen nga ushtria por nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës, (CIA).
Sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, është shprehur se Amerika do të vazhdojë të mbrojë veten e saj, duke pohuar se është dakord me mënyrën me të cilën po vepron aktualisht CIA. Ndërkohë, nga ana tjetër Pakistani nuk konsiderohet zonë kërcënuese përsa i përket konfliktit të armëve , ndryshe nga Afganistani.

Sipas një investigimi në terren nga ana e Associated Press, në Pakistan, rezulton se pjesa më e madhe e personave të vrarë janë luftëtarë, ndërkohë që në raportin e Universitetit të Stanfordit si dhe Universitetit të Ligjeve në New York, rezulton se një pjesë e mirë e personave të vdekur gjatë sulmeve me Dronë, janë edhe popull i thjeshtë të cilët janë ndodhur aty rastësisht.