ROME - Kryeministri Berisha është nisur sot në Romë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Partive të Qendrës së Djathtë. Gjatë qëndrimit në Romë, krerët e Partive të Qendrës së Djathtë Evropiane do të zhvillojnë takime me njëri-tjetrin dhe sipas mediave greke, ndër këto takime përfshihet edhe ai mes kryetarit të PD së Shqipërisë dhe atij të partisë Demokracia e Re Greke, Antonis Samaras. Takimi konfirmohet dhe nga zyra e shtypit e Kryeministrisë shqiptare.

Nuk bëhet e ditur tema e bisedimeve, por dy liderët kanë mjaft tema për të diskutuar së bashku, ndër të tjera edhe çështjen aq të diskutueshme e delimitimit të zonave detare.

Në një takim të ngjashëm të partive të djathta thuajse një vit më parë, Samaras dhe Berisha diskutuan mbi këtë pikë dhe sipas mediave greke, të dy ranë dakord të përfundojnë një marrëveshje të re për kufijtë detarë, kur opozita e djathtë greke të vinte në pushtet dhe Samaras të bëhej kryeministër.

Takimi zhvillohet në kushtet kur Marrëveshja e vitit 2009 është anuluar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare, por nuk konsiderohet e tillë veçanërisht nga pala greke.

PANARITI DREJT ATHINES NE TETOR

Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, pritet të vizitojë Athinën në javën e parë të muajit tetor ku do të takohet me homologun grek, Avramopulos. Pjesë e temave që do diskutohen mes dy ministrave do të jetë edhe marrëveshja e ujërave.

Kryediplomati Panariti, i ftuar mbrëmë në emisionin “Top Story”, lidhur me delimitimin e zonës detare, u shpreh se Tirana do të kërkojë një marrëveshje të re pasi qeveria nuk mund të shkelë një vendim kushtetues.

Ndërkohë pyetjes së gazetarit Sokol Balla nëse qeveria do të lëshojë territorin e vendit në këmbim të marrjes së statusit kandidat, zoti Panariti iu përgjigj “kategorikisht jo”. Sipas tij cështjet e kufirit detar dhe ajo e integrimit të Shqipërisë janë dy cështje të ndara pa lidhje organike me njëra-tjetrën.

AK, REAGOI DJE: MARRËVESHJA ANTI-KUSHTETUESE


Lidhur me takimin mes Kryeministrit Berisha dhe homologut të tij grek Samaras, dje reagoi dhe Aleanca Kuq e Zi (AK). Sipas AK-së, në axhendën e takimit midis Berishës dhe Samaras do rivihet marrëveshja shqiptaro-greke për delimitimin e kufirit detar midis dy vendeve.

AK kujton se kjo marrëveshje është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, prandaj i bëri thirrje kryeministrit të mos cenojë vendimet e saj.

(sg/er.ci/Shqiptarja.com)