Marrëveshjet pritet të konkretizohen këtë pranverë pas dakordësive Bushati-Kotzias nga takimi i Kretës dhe Korçës, ndërsa në muajin prill është planifikuar edhe një vizitë në Tiranë nga kryeministri grek Aleksis Tsipras. Vizitë e cila është konfirmuar edhe nga kryeministri Edi Rama rreth një muaj më parë i ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo".
Presidenti Meta ende nuk i ka dhënë autorizimin ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në mënyrë që ky i fundit të lëshojë plotfuqishmërinë për nisjen e negociatave me fqinjin jugor.
Presidenti i ka kërkuar dy herë informacion shtesë ministrit të Jashtëm si për termat e marrëveshjes ashtu edhe për ekipin negociator. Por i pyetur edhe sot se kur do t'i japë autorizimin Bushatit, Meta nuk dha një përgjigje të qartë, duke shtuar: "çdo gjë në kohën e duhur".
Ndërkohë, nga ana tjetër, opozita ka shprehur skepticizëm sa i takon listës me 12 negociatorë si dhe ka akuzuar për spiunazh një prej tyre, kolonelin Artur Meçollari, pavarësisht se akuzat nuk kanë qenë bindëse pasi PD nuk ka paraqitur asnjë provë që të faktojë këto pretendime. Lidhur me çështjen e Detit ka reaguar sot edhe Kolonel Myslim Pashaj, një prej njerëzve që kundërshtoi fort marrëveshjen e 2009-ës.
Kolonel Pashaj akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se i fali territor Greqisë me marrëveshjen e firmosur me Karamanlis 9 vite më parë.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO








