TIRANË - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit zyrtarizojnë bashkëpunimin për shkëmbim të dhënash për raste të dyshuara korruptive në administratën publike.
Marrëveshja është firmosur nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Adriatik Llalla dhe Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj.
Llalla vlerësoi ndryshimet në Kodit Penal, miratuar një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, në të cilat parashikohet edhe marrja nën përgjegjësi penale të “personave të lidhur” me zyrtarët deklarues në rast të refuzimit për deklarim apo deklarimit të rremë të pasurisë.
“Nëpërmjet këtij ndryshimi, ILDKP-së i shtohen kompetenca të mëdha për zbulimin e rasteve të pasurimit të padrejtë nga ana e zyrtarëve, duke iu prerë rrugët për kalimin e të ardhurave të krijuara në mënyrë abuzive tek familjarë apo persona të afërt me ta”, tha ai.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit tha se marrëveshja ka nisur tashmë të aplikohet në praktikë.
“Mendojmë se ka çështje konkrete që kanë nevojë për kontroll ndërinstitucional, me qëllim efikasitetin në luftën kundër konfliktit të interesave e fshehjes së pasurisë dhe, në përgjithësi, kundër veprimeve abuzive të zyrtarëve me pushtetin publik”, tha kreu i KLSH.

(aq/shqiptarja.com)