“Kemi rënë dakord që kjo krizë administrimi duhet trajtuar dhe duhet shfrytëzuar si një mundësi e re për të forcuar pavarësinë e BSH, për të rritur sigurinë dhe për të kthyer besimin në një kohë sa më të shkurtër, si dhe të krijohen mekanizmat e nevojshëm për sigurinë brenda BSH. Shumica jonë do të veprojë me ambicie shumë të madhe dhe do punohet për t’i plotësuar pozicionet e lira me profesionaliste të nivelit më të larta. Emrat e përmendur deri më tani, s’janë pjesë e kandidaturave për kreun e BSH. Mbështesim plotësisht hetimin e gjithë procesin e hetimit e të punës së drejtësisë, fjalën e ka drejtësia”, tha Rama. Për të guvernatori i ri do të vijë nga radha e sistemit financiar e bankar, jo nga politika.
“Duam t’i japim BSH një guvernator që të përshëndetet ndërkombëtarisht si zgjedhje e pakontestueshme profesionale dhe morale. Se nga do vijë, do ta shikojmë, por me siguri do jetë nga sistemi financiar dhe bankar. Sa i përket këshillit Mbikëqyrës e përsëris se ne do të veprojmë shpejt dhe pa u ngutur dhe do respektojmë në çdo hap pavarësinë e institucionit. Ky nuk është një proces ku shumica do të përdorë kartonat për të vënën nën kontroll BSH, dhe ky është parim i yni”, nënvizoi Rama. Sa i përket ngërçit që ka përfshirë BSH, aitheksoi se ka ardhur prej problemit të administrimit të brendshëm të saj, ndërsa shtoi se pavarësisht të gjithave, këto zhvillime nuk e cënojnë sistemin financiar në vend.
Kryeministri nënvizoi edhe pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me ngjarjet që kanë përfshirë BSH duke e cilësuar atë si një pozicion i vështirë. Sipas tij, BSH mbetet një institucion i pavarur dhe ky mbetet kusht themelor për mirëfunksionimin e saj. Duke u ndalur tek takimi i zhvilluar paraditen e djeshme në BSH me guvernatoren në detyrë Elisabeta Gjoni, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe ekipin e drejtuesve teknikë, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e garantimit të performancës së qëndrueshme të institucionit. Rama tha se ky institucion duhet të mbështetet dhe të inkurajohet në këtë situatë të vështirë, ndërsa theksoi se pavarësisht situatës së krijuar, duke thënë se depozitat e shqiptarëve janë 100% të sigurta. “Vendi ynë është edhe nën monitorimin ndërkombëtar të FMN-së, dhe nuk ka asnjë problem të kësaj natyre”, tha Rama.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Shtator 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)